Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar pas lajmit të arrestimit të djalit të deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja. Spiropali iu është përgjigjur akuzave të PD, pas arrestimit të Rrajës. Në një deklaratë për mediat, PD akuzoi socialistët se e arrestuan djalin e deputetit Rraja, pas denoncimit të Emiljano Nuhut dhe presionit të madh public.

Në një status në Facebook, Spiropali thotë se të gjithë ata që kanë ndjekur debatin publik për këtë çështje, duhet të lexojnë me vëmendje deklaratën e PD. Sipas Spiropalit, PD nuk i intereson dhunimi i vajzës, por shpikja e akuzave të rreme për Taulant Balla.

Cilido që e ka ndjekur debatin për rastin e vajzës së dhunuar, duhet të lexojë deklaratën e Partisë Demokratike për ndalimin e djalit të deputetit nga policia. Si mund ta thoshin më mirë, me gojën e tyre, që atyre s'u intereson drejtësia po politika?! S'u intereson fati i drejtësisë për vajzën, po fati i fabrikimit për Taulant Ballën. S'u intereson që të ndalohet djali i deputetit, po që të vazhdojë të hidhet balta! Uroj që prokuroria t'i shkojë deri në fund kësaj historie dhe drejtësia t'i japë fund edhe kësaj histerie.

Elisa Spiropali, deputete e PS