TIRANË - "Reagim policor me epsh politik për të goditur publikisht një kundërshtar, i cili i është bërë hale në sy pushtetit qyshse përzuri me votën e popullit Sali Berishen nga bastioni i prapambetjes njezetvjeçare" Kështu e ka konsideruar Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, arrestimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. më poshtë po japim të plotë, reagimin e kryesocialistit lidhur me arrestimin e njeriut, që shënoi histori duke e kthyer Kavajën nga një bastion demokrat, në bastion socialist pas shumë viteve.
REAGIMI I PLOTE I KRYETARIT TE PS, EDI RAMA, NE BLOGUN "EDIRAMA.AL"
"S’ka pikë dyshimi se nëqoftëse Elvis Rroshi, kryebashkiaku i Kavajes, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Dedën, trainerin e Tiranës; kjo është e pajustifikueshme.
Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje. Gjithnjë nëse kështu ka ndodhur, qytetari i parë i Kavajës duhet t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut.
Fatkeqësisht lajthitje të kësaj natyre janë bërë të herëpashershme në stadiumet tona dhe ndjesa publike e Elvis Roshit do të ishte një hap i duhur, drejt ndryshimit të domosdoshëm të klimës ku luhet futbolli në Shqipëri. Por thënë kjo, është e patolerueshme sjellja brutale e policisë me kryebashkiakun e Kavajes! Një dyndje trupash policore përfshirë edhe forcat speciale që u turrën masivisht nga Tirana drejt Kavajës, me një zell qe s’e tregojnë as kur krimi sharron me plumba komisarët. Reagim policor me epsh politik për të goditur publikisht një kundërshtar, i cili i është bërë hale në sy pushtetit qyshse përzuri me votën e popullit Sali Berishen nga bastioni i prapambetjes njezetvjeçare. E sikur të mos mjaftonte rrethimi me mure policësh i komisariatit ku Elvis Roshi kishte shkuar krejt normalisht me këmbet e veta, RENEA godet e gjakos njerëz të mbledhur aty spontanisht për të pritur kryebashkiakun. I cili merret në Tiranë dhe mbahet në polici tërë natën në shkelje të gjithë procedurave ligjore, ndërkohë që në Durrës ndodh një vrasje e radhës në rrugët e qytetit dhe e gjithë policia, me në krye ministrin, merret me gjahun politik në Kavajë.
Fakti që kryebashkiaku mbahet ende në polici është vetëdiskreditues për qëllimin politik të këtij operacioni skandaloz. S’ka mundësi ta justifikosh Elvis Rroshin nëse ka zbritur në dhomën e zhveshjes së skuadrës mike, për t’u kapur me Nevil Deden pas çfarëdo provokimi publik që mund të ketë bërë ky i fundit. Por është jashtëzakonisht e rëndë për shtetin e shoqërinë që lufta politike ta degjenerojë deri në këtë fare feje misionin dhe funksionin e Policisë së Shtetit. E cila duke u turrur qorrazi pas Elvis Rroshit pa asnjë arsye që lidhet me ligjin e me rolin e saj, na ka dhënë provën e humbjes së toruas së pushtetit në rrugën drejt humbjes së pashmangshme të 23 qershorit. Në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)