Arrestimi i të atit të Tahirit, Rama:
Hakmarrje e babait Kryeministë

Arrestimi i të atit të Tahirit, Rama: <br />Hakmarrje e babait Kryeministë
TIRANE - Mbi arrestimin e babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, ka reaguar vetë lideri i opozitës Edi Rama i cili duke theksuar nevojën e një gjykimi të drejtë si çdo qytetar, ngre dyshimin mbi akuzuesit.

Për këtë shqetësim kryesocialisti Rama sjell në vëmendje përplasjet e vazhdueshme mes Tahirit dhe qeverisë, denoncimin në vijimësi që deputeti socialist i ka bërë korrupsionit qeveritar, krimit të organizuar si dhe kupolës drejtuese të policisë dhe fëmijëve të vetë kryeministrit Berisha.

Mbi këto argumente, përmes një deklarate për mediat, Rama hamendëson që kjo mund të jetë një hakmarrje politike “e babait kryeministër” siç cilëson ai shefin e mazhorancës Sali Berisha.

Duke sjellë në fokus arrestimin e pak javëve më parë të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, të cilësuar nga Rama për hakmarrje politike për shkak të humbjes së bastionit të Kavajës nga Berisha, lideri i opozitës përfundon deklaratën duke thënë: E vërteta nuk vonon shumë të dalë.


DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË SOCIALISTE EDI RAMA
Pas njoftimit të marrë për ndalimin nga policia të zotit Bashkim Tahiri, babai i deputetit socialist Saimir Tahiri, me akuzën “kontrabandë ilaçesh”, kryesocialisti Edi Rama nënvizon:

Asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin. Zoti Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia.

Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por, pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar! Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist. I cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë.

Dihen edhe gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të kryeministrit. Prandaj natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër.

Por, sidoqoftë, edhe historia ende shumë e freskët e ndalimit po kaq të bujshëm dhe po për hakmarrje politike të kryebashkiakut të Kavajës, tregon se e vërteta nuk vonon shumë të dalë

Deri sa të dalë e vërteta ne jemi edhe në qëndrime po ata që kërkojmë vazhdimisht me fjalë barazi para ligjit dhe ndëshkim sipas ligjit për të gjithë. Pa dallim. Edhe nëse bëhet fjalë për kolegë ose të afërm të kolegëve tanë nën akuzë. Po njësoj edhe në këtë rast konkret.

Por ciladoqoftë e vërteta që qëndron pas ndalimit nga policia të babait të Saimir Tahirit, kryesocialisti Edi Rama shpreh të gjithë solidaritetin njerëzor, por edhe bindjen e plotë për integritetin moral e politik të deputetit socialist. Saimir Tahiri është njëri prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cënon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten