SHKODËR - Arrestimi i tre të rinjve të martën gjatë operacionit “Shkejza” në Bushat të Shkodrës ka prodhuar një tjetër konflikt. Pjetër Prendi së bashku me shokun e tij, Afrim Sadik, të dy 26 vjeç dyshohet se i vendosën flakën të enjten në mbrëmje magazinës së familjes Gjoni në fshatin Mali i Jushit. 65-vjeçarja Zoja Gjoni tha se nuk kanë konflikte, por burime nga policia bëjnë të ditur se 26-vjeçari Prendi dyshonte se familja Gjoni i ka spinuar të vëllanë, Aleksandrin që u prangos të martën.

“Nuk i kam bërë gjë njeriu, s’kam ngatërresë me asnjë njeri. Çfarë i ka thënë mendja atij njeriu nuk e di, por zjarri është i qëllimshëm. Ai njeri që e bëri këtë, ta shikojë Zoti”, tha Zoja Gjoni.

Me të marrë njoftim për djegien e magazinës, policia u vendos në ndjekje të dy 26-vjeçarëve, Prendi e Sadik të cilët jo vetëm bënë rezistencë por kërcënuan me jetë efektivët.

“Gjatë arrestimit, ata kanë dhunuar fizikisht punonjësit e policisë, duke i kërcënuar me jetë si dhe kanë tentuar t’u marrin automjetin”, bën të ditur policia e Shkodrës. 

Pjetër Prendi ka kërcënuar efektikët e policisë, duke pretenduar arrestimin e padrejtë të të vallait, ra në pranga së bashku me dy të tjerë për armë pa leje dhe zjarrvënie të qëllimshme.