ATHINE-Arrestohen në Greqi dy shqiptarët e burgosur që u arratisën 48 orë më parë në portin e Pireut, Xhulian Halili dhe Alfons Doçi. Ata u arrestuan mbrëmjen e sotme në lagjen 'Nea Filqdelfia' në një apartament. Policia theu derën e banesës, ndërsa dy shqiptarët u përpoqën të shpëtonin duke tentuar që të dalin nga ndërtesa, por pa sukses.
Sipas asaj që raportojnë mediat greke ata kishin edhe një armë, por nuk bënë rezistencë. Dy shqiptarët që u arrestuan mbrëmjen e sotme ishin pjesë e një grupi me 12 të dënuar që po transferoheshin nga Athinë në Hanian, Kretë.
Katër shqiptarë thyen prangat duke u arratisur. Ngjarja ndodhi para dy netësh, Petro Luçi dhe Robert Xhimaj u arrestuan menjëherë në port, ndërsa sonte në mbrëmje u kapën edhe dy shqiptarët e tjerë. Xhulian Halili është i dënuar përjetë për vrasjen e një fëmije 4-vjeç, ndërsa Alfons Doçi është i dënuar me 25 vite për trafik droge së bashku me Petro Luçin dhe Robert Xhimajn.