2 mjekë të QSUT dhe i ati i Elmidin Dylit, 17-vjeçari që u plagos në masakrën e Velipojës janë arrestuar për korrupsion pasiv. Në pranga ranë Serdi Memini, 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped dhe Ervin Sulaj, 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë QSUT.

Mjekët akuzohen për korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike pasi i kanë marrë Ftabardh Dylit, i ati i 17-vjeçarit të plagosur, shumën prej 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro, për operimin e të birit. Gjithashtu në pranga u vu edhe Fatbardh Dyli , 40 vjeç, banues në Shkodër, i akuzuar për korrupsion pasiv.

Ndalimi i dy mjekëve u bë në ambientet brenda Qendra Spitalore Universitare Tiranë, ku iu sekuestruar edhe shuma e parave që Fatbardh Dyli ua ka dhënë  për kryerjen e operacionit.

Arrestimi i tyre ndodhi gjatë operacionit të koduar "Bisturia", ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

17-vjeçari Elmidin Dyli mbeti i plagosur në gju në përplasjen me armë në Velipojë në orët e para të mëngjesit të 27 qershorit 2021, ku familjet Ferracaku dhe Gocaj u përplasen pas një konflikti për disa metra territor plazh në Velipojë për vendosjen e shezlongëve. Nga përplasja me armë mbetën të vrarë 4 persona dhe 2 të plagosur mes të cilëve edhe adoleshenti.  Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç mbeten të vdekur, ndërsa u plagosën Hasan Ferracaku dhe Elmidin Dyli.