Një 27-vjeçar i identifikuar si Zenel Kodra ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës. I riu, banues në fshatin Golem, akuzohet se ushtronte aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kokainë dhe kanabis.
Si rezultat i fazës së dytë të operacionit ‘Vespa’, vihen nën hetim edhe E. D., 24 vjeç, banues në Shkodër dhe F. M., 27 vjeçe, banuese në Tiranë. Të tre bashkëpunonin për shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 27-vjeçarit Zenel Kodra dhe kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë, 800 gramë kanabis, një sasi kokaine të ndarë në doza, shuma parash (euro dhe lekë), 2 peshore elektronike, 2 automjete, 5 aparate celulare dhe pajisje të tjera që shërbenin për paketimin e lëndëve narkotike në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.