Policia i kishte besuar postin e agjentit të krimeve për zonën e Bllokut, arrestohet si person i dyshuar për trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe ndikim të paligjshëm agjenti Ledio Bako 27-vjeç. Në pranga së bashku me Bakon kanë rënë edhe 3 persona të tjerë ndërsa hetimet janë kryer nga Prokuroria dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat në policinë e Tiranës. Tre të arrestuarit e tjerë janë, J. K., 26 vjeç, nga Tirana, financier - E. M., 35 vjeç, nga Tirana, si dhe A. K., 31 vjeç, po  nga Tirana.

Gjatë kontrollit të mjetit Bakos i është gjetur një armë pa leje dhe një sasi e dyshuar kokainë.

Ky agjent sipas hetimeve të policisë dyshohet se drejtonte një grup të shpërndarjes së drogës pikërisht në zonën në të cilën ai kishte në përgjegjësi për të hetuar krimet.

Tre personat e tjerë prangosur me agjentin e krimeve nga hetimet ka rezultuar se kanë pasur rolin e shpërndarësit sipas SHÇBA ndërsa ndaj tyre janë kryer filmime dhe fotografime në terren për të dokumentuar aktivitetin kriminal.

Prej disa javësh prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për të hetuar policët të përfshirë në aktivitete kriminale.

Ky është rasti i dytë në pak ditë ndërsa më herët hetimet e prokurorisë tiranë zbuluan përfshirjen e policëve në trafikimin e mjeteve motorike nga Qafë Bota në Sarandë me ndihmën e policëve kufitarë.