Dita e Pavarësisë ndryshe nga çdo vit tjetër, këtë  herë në Kosovë, është pritur me protesta. Opozita e Kosovës, mbajti mesditën e kësaj të shtune, një manifestim madhështor në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Surprizë e këtij manifestimi ishte pjesëmarrja e ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pavarësisht se ndaj tij kishte një urdhër-arrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës pas veprimeve të dhunshme në Kuvendin e Kosovës. Por mesa duket, asgjë nuk e ka ndalur Albin Kurtin të thotë fjalën e tij të fundit, para se të arrestohej në Ditën e Flamurit në selinë e Vetëvendosjes, vetëm pak minuta pas përfundimit të manifestimit.

E teksa gjithçka u duk se përfundoi qetësisht, qindra efektivë të forcave speciale të Kosovës, rrethuan godinën e Vetëvendosjes, pak minuta pasi Albin Kurti sëbashku me deputetë dhe aktivistë të kësaj partie, kishin mbërritur në selinë e tyre. U deshën pak momente, që policia të ndërhynte me forcë brenda selisë, për të arrestuar ish-liderin e Vetëvendosjes.

Pas Kurtit, në pranga janë vënë edhe dhjetra aktivistë të Vetëvendosjes si dhe disa deputetë, pasi sipas policisë, ata përveçse kanë penguar aksionin policor, kanë ushtruar edhe dhunë ndaj efektivëve, duke lënë të plagosur 2 policë.

Sipas Policisë së Kosovës, janë shoqëruar 87 aktivistë të VV-së, por kjo e fundit deklaron se janë mbi 90 të arrestuar.

Arrestimi i Albin Kurtit dhe aktivistëve të Vetëvendosjes, është pritur me kritika të ashpra nga deputetët e kësaj partie, të cilët janë shprehur të vendosur për të vazhduar betejën e tyre në kundërshtimin e marrëveshjes së asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi. Pas arrestimit, mediat kosovare raportuan se Kurti eshte derguar me autoblinda te policise per ne Pallatin e Drejtesise.

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Saturday, November 28, 2015