LEZHË- Drejtori i Ujësjellës-Kanalizime në Kurbin, Alfred Prodani është arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje në Spanjë. Operacioni policor i koduar “Coruna” u finalizua mbrëmjen e së premtes forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me INTERPOL Tirana.

41-vjeçari banues në Kurbin u prangos pa bërë rezistence në qytetin e Laçit, ndërsa ndalimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Spanjës. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës".

Prodani, rezulton i përfshirë në rreth 40 episode vjedhje të banesave në Spanjë dhe në vitin 2019-të ishte denoncuar  dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, se kishte marrë pjesë në grabitjen e shtëpisë së yllit të Real Madrit, Karim Benzema. Në atë kohë 41-vjeçari i quajti akuzat e Berishës si të stisura dhe të motivuara politikisht.

Prej 9-vitesh Alfred Prodani mbante postin e Drejtorit të Ujësjellës-Kanalizime në Kurbin, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

1651915072_8000prodani.jpg

Alfred Prodani

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:45
VIDEO/ Ja momenti i arrestimit të drejtorit të Ujësjellësit të Kurbinit, për t'u ekstraduar në Spanjë

Policia ka publikuar video nga momenti i arrestimit të drejtorit të Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani. Mësohet se nuk ka bërë rezistencë në momentin që policia i ka njoftuar vendimin për arrestimin për llogari të INTERPOL për t'u ekstraduar në Spanjë.