TIRANË - Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një Inspektor të policisë pasi ditën e sotme rreth orës 17:30, gjatë drejtimit të motomjetit në bulevardin “Bajram Curri”, ka aksidentuar një 65-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë rreth orës 21:00 të mbrëmjes në spitalin “Shefqet Ndroqi” për shkak të plagëve të rënda.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. K., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar në nenin 299/3 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 17:30, gjatë drejtimit të motomjetit në bulevardin “Bajram Curri” ka aksidentuar shtetasin P. F., 65 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë dhe si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë rreth orës 21:00. I dëmtuar ka mbetur gjithashtu edhe punonjësi i policisë.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Komente







