TIRANË- Ish presidenti i Republikës, aktualisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua sot (21 tetor 2024) me urdhër të SPAK dhe firmosur nga GJKKO, ndërsa është caktuar masa detyrim paraqitje për bashkëshorten e tij në proces divorci, Monika Kryemadhi.

GJKKO ka caktuar masën arrest shtëpie për Pirro Xhixhon, ish-kreu i AKEP, dhe babai i nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho si dhe detyrim paraqitje është caktuar edhe për Ema Çokun, një person i afërt me Monika Kryemadhin. 

Masat  e sigurisë konkluduan një hetim 5 vjeçar të nisur në vitin 2019, njoftoi zyrtarisht pasditen e 21 tetorit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Urdhri i SPAK për arrestimin ka ardhur në kuadër të hetimit për skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA, dosje që janë bashkuar në një bashkë me hetimin pasuror të familjes. 

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, po hynte në Tiranë, i kthyer nga një udhëtim që kishte bërë në Kosovë, në momentin që makina e tij u ndalua nga forca të shumta të Operacionales, rreth orës 13:15 minuta të 20 tetorit 2024. Report Tv solli edhe videon ekskluzive të momentit të arrestimit të Metës, ku dallohet si efektivët me maska nxjerrin me forcë nga makina ish presidentin. 

Më pas Meta u dërgua në Policinë e Tiranës, ku qëndroi për rreth 2 orë, për të përmbyllur procedurat e arrestimit, për t’u transportuar me pranga në duar në ambientet e Bllokut të Sigurisë, në pritje të caktimit të orës për seancën e rivlerësimit të masës. Në momentin e hyrjes, Ilir Meta bëri me duar shqiponjën, brenda furgonit të forcës elitë RENEA, i cili e transportoi.

Ndaj Metës, i cili ka mbajtur postet më të larta të vendit, President, Kryeministër dhe Kryetar Kuvendi, rëndojnë akuzat korrupsion në 3 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash. Po të njëjtat vepra penale rëndojnë ndaj bashkëshortes Monika Kryemadhi.

Përveç tyre, në “arrest shtëpie” për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë” është vënë Pirro Xhisho, babai i deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe në “detyrim paraqitje”. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Ema Çoku, mike e Monika Kryemadhit. Ndaj Ema Çokut rëndon akuza "Pastrim i produkteve të veprës penale" dhe ndaj Pirro Xhixhos korrupsion pasiv. 

Ema Çoku është një personazh i njohur në kryeqytet. Ajo ka pasur në pronësi Coli's Galleri në Bllok te Samos Toëer përballë vilës së Enver Hoxhës, si dhe një dyqan perdesh. 

Tre janë prokurorët e dosjes Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtari që ka lëshuar masat është Erjon Cela

Njoftimi i SPAK për arrestimet: Meta ndikoi si ministër për lidhjen e kontratës CEZ-DIA, mori para nga Kastriot Ismailaj! S’deklaroi 463 mijë dollarë $ nga lobimi në SHBA

Akuzat dhe masat e sigurimit personal (21 tetor 2024)
1 - Ilir Meta - Ish presidenti i Republikes, aktualisht president i Partisë së Lirisë 
Masat e sigurimit personal -  'Arrest me burg' 
3 akuza:  -Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
-Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.
2- Monika Kryemadhi bashkëshortja e Ilir Metës, ish kryetarja e LSI-së -
Masat e sigurimit personal -  “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
3 akuza -Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
-Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.
3- Ema Çoku, mikeshë e ngushtë e Monika Kryemadhit 
Masat e sigurimit personal - “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza: Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në bashkëpunim
4- Pirro Xhixho, babai i nënkryetares së PL-së, Erisa Xhixhi, ish kryetari i AKEP 
Masat e sigurimit personal - 'Arrest shtëpie' 
Akuza: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal. 

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Keti Banushi, Sokol Dema dhe Danjela Maloku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:47
U arrestua sot nga SPAK, i biri i dërgon Ilir Metës ndërresat dhe ujë në qeli (VIDEO+ FOTO)

 

Djali i Ilir Metës, Besarti, i shoqëruar nga avokati Genc Gjokutaj, kanë vizituar mbrëmjen e sotme babain e tij në qelinë e IEVP-së “Mine Peza”.

Ai dhe Gjokutaj, janë parë në ambientet e burgut “302” në Tiranë, ku pasi kanë ndjekur procedurat janë lejuar të hyjnë brenda.

Në videon e siguruar nga Report Tv, shihet teksa djali i Metës mbante në duar edhe një çantë me sende për babain e tij, ndërsa i ka dërguar edhe ujë.

Ora 18:19
Me kokën ulur, momenti kur Meta del nga Policia e Tiranës

Këto janë disa foto ku Ilir Meta shoqërohet nga forcat e policisë për tek Blloku i Sigurisë ‘Mine Peza’. Nga imazhet e shkrepura shohim Metën i cili me kokën ulur po shkon drejt furgonit të Policisë.

Ora 18:01
Publikohen pamjet kur Blushi ‘përcjell’ Metën drejt Bllokut të Sigurisë

 

Ted Blushi me sa duket është një nga njerëzit që nuk e ka pritur fare mirë arrestimin e Ilir Metës me urdhër të SPAK.

Ashtu siç shihet edhe nga pamjet e publikuara Blushi ka shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Kur furgoni i Policisë doli për të transferuar Metën drejt Bllokut të Sigurisë 'Mine Peza', Blushi iu afrua dhe i binte dritares, teksa i jep kurajo Ilir Metës.

Ora 17:24
Kryemadhi sulmon drejtësinë: Gjyq politik, një farsë për të vrarë aksionin e opozitës! Arrestimi i Metës çnjerëzor

Deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar pasi i është komunikuar masa detyrim paraqitje në dosjen për lobimin e LSI në SHBA e hetimin pasuror, për të cilën u arrestua edhe bashkëshorti i saj Ilir Meta. GJKKO ka caktuar ndaj saj masën detyrim paraqitjeje. Kryemadhi thotë se do të përballet me drejtësinë pa asnjë hezitim, por i shigjeton organet ligjzbatuese duke thënë se ky është gjyq politik dhe publik.

Sipas saj, kjo goditje bëhet me synim për të vrarë aksionin e opozitës. Ajo shkruan se i kanë mbërritur dhjetëra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë. Kryemadhi paralajmëron se do të përballen me drejtësinë dhe të vërtetën e saj brenda e jashtë vendit.

Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë.  Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite. Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetëra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi.

Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës. Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procesve gjyqësore pa prova dhe pa fakte.

Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrenë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.

Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit.

Ora 16:46
Zbardhen 3 akuzat që rëndojnë ndaj Monika Kryemadhit

Ndaj Monika Kryemadhit rëndojnë të njëjtat akuza që janë ngritur nga SPAK edhe për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Konkretisht ndaj Kryemadhit rëndojnë akuzat Pastrim parash, Korrupsion dhe Mosdeklarim të ardhurash.

Ndaj, Kryemadhit është caktuar masa detyrim paraqitje.

Ora 16:46
21 tetori/ Dita e arrestimeve të bujshme! Fiks një vit më parë arrestohej Jamarbër Malltezi dhe Berisha vihej në masën e detyrimit me paraqitje, sot arrestohet Meta

1729522139_metaberisha.JPG

Arrestimi i Ilir Metës sot më 21 tetor 2024, koincidon fiks një vit pasi u arrestua në Rinas, Jamarbër Malltezi për çështjen Partizani nga SPAK dhe kur Berisha u vu në masën e detyrimit për tu paraqitur.

Më pas Berisha pas refuzimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore, Berisha më 30 dhjetor u vu në masën e arrestit në burg.

Ora 15:49
U arrestua me urdhër të SPAK, Meta brenda furgonit të policisë (FOTOLAJM)

1729518318_ilirmeta.jpg

Presidenti i PL-së Ilir Meta u arrestua sot me urdhër të SPAK pasi po hetohet për aferën CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.

Ndërkohë ka qarkulluar një foto e Ilir Metës brenda furgonit të policisë teksa po largohej nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për në bllokun e sigurisë Mine Peza në kryeqytet.

Ora 15:48
Rrugës për në qeli, Ilir Meta bën shqiponjën me duar brenda furgonit të policisë (VIDEO)

Kreu i PL Ilir Meta në momentin që ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ishte duke u transferohet drejt bllokut të sigurisë te “Mine Peza”, ka bërë shqiponjën me duar.

Teksa furgoni po dilte nga ambientet e Policisë, mbështetës të Metës të cilët ishin mbledhur jashtë ambienteve dhe filluan ta godisnin automjetin e policisë.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Meta shihet teksa ka bërë me duar shqiponjën, brenda furgonit të policisë rrugës për në qeli

Ora 15:44
Arrestimi i Ilir Metës/ Kush janë tre prokurorët që po hetojnë kreun e Partisë së Lirisë

 

Tre janë prokurorët që kanë në dorë dosjen e Ilir Metës, Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani.

Ora 15:33
Arrestimi i Metës/ Dosja e lobimit në SHBA dhe CEZ-DIA bashkohen në një! Ja akuzat, korrupsion në 3 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash

 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Ilir Meta u arrestua për dosjen e skandalit të lobimit të Partisë së Lirisë në SHBA, asokohe LSI, dhe CEZ DIA. Të dyja dosjet janë bashkuar në një, ndërkohë që familjes Meta po i hetohet edhe pasuria.

Tre janë akuzat që rëndojnë ndaj Metës, korrupsion në 3 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash

Ora 15:08
Arrestimi i Ilir Metës, avokati Gjokutaj: Politike! U godit nga dyshja Dumani-Rama dhe ish-bashkëpunëtorët e Metës! Rrëmbyen ish-presidentin

 

Avokati i Ilir Metës, ka reaguar pasi ky i fundit la ambientet e Policisë së Tiranës dhe do dërgohet në Bllokun e Sigurisë. Gjokutaj tha se është një vendim tërësish politik, i dyshes Dumani-Rama që goditën Metën sipas tij edhe me ndihëm e ish-bashkëpunëtorëve të tij.

Ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë me një sjellje tejet jo ligjore, Kjo ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë  shpjegim sa herë e kanë pyetur. Këto rrethana kanë 5 vjet. Momenti është politik. Dyshja Rama-Dumani dhe me ndihmën e mashave, ish-bashkëpunëtorët e Metës, që kanë formuar një vendim që ne sapo e kemi marrë. Qëndrimi i tij është krejt i qartë është i vendosur të përballet me procesin. Rrëmbyen në rrugë ish-kryeministri, ish-presidenti.

Ora 15:06
VIDEO/ U arrestua me urdhër të SPAK, Ilir Meta lë Policinë e Tiranës, momenti kur transferohet me furgon drejt Bllokut të Sigurisë

Ky është momenti kur Ilir Meta lë Policinë e Tiranës dhe transferohet me furgon drejt Bllokut të Sigurisë. 

Nga pamjet e siguruara për Report Tv shohim se Meta me kokën ulur hipën në furgon.

Ora 14:36
Konfirmohen edhe 2 masat e tjera për dosjen e Ilir Metës, njëri babai i Erisa Xhixhos! Arrest shtëpiak për Pirro Xhixhon, Ema Çoku në detyrim paraqitjeje

 

Konfirmohen masat e sigurisë së Gjykatës së Posaçme edhe për 2 personat e tjerë të dosjes së SPAK-ut, pas arrestimit të Ilir Metës, kryetarit të Partisë së Lirisë.

Bëhet fjalë për Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP, që ka masën “arrest shtëpiak” dhe për Ema Çokun, “detyrim paraqitjeje”.

Pirro Xhixho është njëkohësisht edhe babai i nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

Gjithashtu edhe për Monika Kryemadhin është njoftuar masa e detyrimit për paraqitjeje në këtë dosje, kurse hetimet mbeten aktive dhe në proces, bashkë me operacionin e BKH.

Ora 14:23
Reagon Monika Kryemadhi, sulmon dhe drejtësinë: S’kam dijeni për masën e Gjykatës për mua dhe babanë e fëmijëve të mi! Po na bëhet gjyq publik, sulm i radhës ndaj opozitës

1718199435_monika.png

Monika Kryemadhi

Menjëherë pas lajmit të arrestimit të Ilir Metës për pastrim parash dhe çështjen e lobimit, por edhe të caktimit të masës detyrim paraqitjeje ndaj saj, ka ardhur reagimi i Monika Kryemadhit.

Teksa e quan Metën “babai i fëmijëve të mi” dhe jo bashkëshort, ajo e cilëson si një “sulm të radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare” dhe si “lajme të servirura nga propaganda e qeverisë”.

Kryemadhi, në postimin e saj në FB, mohoi të kishte dijeni për masën e sigurisë dhe se “sapo të njoftohet, do përgjigjet me hapa ligjorë dhe publikë”.

Reagimi i Kryemadhit:

"Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.

Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi.

Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike.

Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik.

Duke nisur nga Inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë, që po luftojmë për shqiptarët”.

Reagimi i Monika Kryemadhit
Ora 14:09
VIDEO/ Meta në drejtorinë e Policisë së Tiranës, mbërrin avokati i tij

Pas arrestimit të Ilir Metës në drejtorinë e Policisë së Tiranës ka mbërritur avokati i tij Genc Gjokutaj.

Siç shohim edhe nga pamjet e siguruara për Report Tv avokati është parë të hyjë në mjediset e policisë.

Ora 13:45
Skandali i lobimit të LSI në SHBA, detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin

Monika Kryemdhit i është caktuar masa detyrim paraqitje në kuadër të hetimeve për skandalin e lobimit në SHBA dhe hetimit pasuror. Burimet thonë se i është caktuar masa detyrim paraqitje, por vetë Monika në një reagim sqaron se nuk ka dijeni dhe nuk i është komunikuar. 

Meta dhe Kryemadhi janë në proces divorci. 

Ora 13:37
Arrestimi i Ilir Metës, Report Tv zbulon 3 akuzat që rëndojnë ndaj kreut të Partisë së Lirisë

1727094300_ilirmeta.JPG

Report Tv ka siguruar tre akuzat që rëndojnë ndaj kreut të Partisë së Lirisë, që u arrestua me urdhër të SPAK për lobimin në SHBA.

3 janë akuzat që rëndojnë ndaj Metës për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Ora 13:21
Arrestimi i papritur i Ilir Metës, kishte njoftuar konferencë për shtyp në 13:40! Iu vunë prangat te Kthesa e Kamzës teksa ikte me makinë në seli

Arrestimi i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për pastrim parash ishte tërësisht i papritur. Meta kishte njoftuar konferencë për shtyp në 13:40.

Burimet thonë se është arrestuar në makinë te Kthesa e Kamzës në Tiranë teksa shkonte në seli.