Policia çeke ndaloi një peshkop të Kishës Ortodokse ruse pasi në makinën e tij u gjet një substancë e bardhë e dyshuar si narkotike, ndërsa Moska reagoi ashpër duke e quajtur ngjarjen një “provokim politik të organizuar”.
Peshkopi Hilarion, i njohur edhe me emrin e tij civil Grigory Alfeyev, u ndalua të dielën në qytetin Karlovy Vary, një qendër turistike në perëndim të Çekisë e frekuentuar shpesh nga turistë dhe komuniteti rus.
Sipas policisë çeke, në bagazhin e makinës së tij u gjetën disa enë që përmbanin një substancë të bardhë. Autoritetet thanë se automjeti u ndalua pas një telefonate anonime që paralajmëronte për transport të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope.
Peshkopi u lirua pa akuza, por pas daljes nga paraburgimi deklaroi se analizat laboratorike kishin konfirmuar se substanca ishte lwndw e ndaluar narkotike . Megjithatë, ai këmbënguli se ishte viktimë e një kurthi.
“Fakti që u gjet një substancë e ndaluar nuk i përgjigjet pyetjes kryesore: si përfunduan këto sende në automjet,” shkroi Hilarion në Telegram.
60-vjeçari drejton komunitetin ortodoks rus në Karlovy Vary, qytet ku jeton një diasporë e konsiderueshme ruse. Ministria e Jashtme ruse reagoi menjëherë duke e quajtur arrestimin një “provokim të qëllimshëm dhe të organizuar”, ndërsa Kisha Ortodokse Ruse e përshkroi incidentin si një “kurth klasik”.
Moska thirri gjithashtu të ngarkuarin me punë të Çekisë në Rusi, Jan Ondřejka, për të protestuar zyrtarisht ndaj ndalimit të peshkopit. Hilarion ka qenë më parë drejtues i departamentit për marrëdhëniet e jashtme të Kishës Ortodokse Ruse, një pozicion që konsiderohej si “ministri i jashtëm” i kishës.
Për vite me radhë ai shihej si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Patriarkut Kirill, kreut të fuqishëm të Kishës Ortodokse Ruse dhe aleat i presidentit Vladimir Putin. Por vitet e fundit ai kishte humbur ndikimin brenda hierarkisë së kishës.
Ndryshe nga shumë klerikë të lartë rusë që mbështetën publikisht pushtimin rus të Ukrainës, Hilarion nuk e mbështeti dhe as nuk e dënoi hapur luftën. Pak pas nisjes së pushtimit në vitin 2022, ai u transferua jashtë Rusisë.
Në fund të vitit 2024, Kisha Ortodokse Ruse e largoi nga drejtimi i dioqezës Budapest-Hungari pasi një ndihmës i ri e akuzoi për ngacmim seksual, akuza që ai i ka mohuar. Ai është përballur gjithashtu me kritika për stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë pushimet me jahte dhe ski, si edhe raportimet për pronat e tij pranë Budapestit. Hilarion ka deklaruar se pasuria dhe shpenzimet e tij financohen nga të ardhurat e librave dhe filmave të tij.
Pas largimit nga Hungaria, ai u transferua në Kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Karlovy Vary, ku shërbente deri në incidentin e fundit me policinë çeke.
Komente









