DurresArmando Sulejmani, ish anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë është arrestuar në qytetin e Durrësit pasi po lëvizte me një makinë me targa të vjedhura, informoi sot policia e Durrësit.

Një informacion i mbërritur në polici për një shtetas që qarkullonte me automjete të vjedhura që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale vuri në lëvizje forcat e posaçme Shqiponja dhe efektivët e Durrësit.

Në Spitallë policia i ka bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues 48 vjeçarin e njohur me nofkën “Çipuri’ por ky “nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi’ informoi sot policia.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave blu vunë në pranga Armando Sulejmanin i dënuar më parë për vrasje.

Pas verifikimeve rezultoi se targat e makinës Benz me të cilin po lëvizte Sulejmani i përkisinin një “Land Rover”, i vjedhur në nëntor të 2023 në Tiranë mëson shqiptarja.com.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti’ informoi policia ndërsa vuri në dispozicion dhe video nga arrestimi i 48 vjeçarit.   

Ndërkohë u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”. Operacioni u kodua “Zëvendësimi’ dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë. Dosja i kalon për hetim Prokurorisë së Durrësit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:59
'Çipuri' po lëvizte me makinë me targat e 'Land Rover'-it të vjedhur në Tiranë! Shikoni videon

Tirane- Armando Sulejmani po lëvizte me një makinë me targa të vjedhura kur në Spitallë të Durrësit i kanë vënë prangat. Policia publikoi pamjet e arrestimit të ‘Çipurit’, ish anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë i cili më parë ka qenë i dënuar për vrasje.

48 vjeçari ka qenë në timon kur policia i ka bërë thirrje të ndalojë por ai nuk ka pranuar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi.

Po kush është 'Çipuri'?
Armando Sulejmani
njihet si ish anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, një grup kriminal që veproi në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997, kur sundonte anarkia. Pjesë e bandës, herët ai dhe anëtarët e tjerë u akuzuan për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie. Nën drejtimin e Gazmir Brakës ishte në luftë me bandën e Çoles në Vlorë. “Çipuri”, ishte shpallur në kërkim më herët, megjithatë, ai kishte gjetur, forma për të qarkulluar i maskuar në qytete të ndryshme të vendit.  

Në 17 shkurt të vitit 2019, ai u plagos në një atentat në zonën e “Ujit të Ftohtë” në qytetin e Vlorës. Në atë ngjarje  mbetën të vrarë kunati i Çipurit, Orest Rexho dhe shoku i tij Arjan Hasani.  Të tre ndodheshin në një automjet, kur u qelluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet.

Në atë kohë policia konfirmoi se objektiv i atentatit ishte pikërisht Sulejmani dhe  se kishte lidhje me një histori hakmarrjeje nisur vite më parë. Sulejmani sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte përfolur për sulmin ndaj Ferdinand Llanajt, pjestar i fisit që njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj. 
Në 2002 Sulejmani, apo Çipuri, u dënua me 20 vite burg për vrasje.  Në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Vlorës caktoi masën “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje.