Ish-drejtori i Përgjithshem i Burgjeve Artur Zoto vihet në pranga nën akuzën për korrupsion.

Ish- drejtori u arrestua sot në orën 14:10 me kërkesë të prokurorisë me akuzën "korrupsion pasiv" në kuadër të hetimit të nisur pak kohë më parë, ku në pranga u vu edhe ish-zëvendësi i tij, Iljaz Labi.
 
Artur Zoto, pjesë e LSI u emërua drejtor i Burgjeve në vitin 2013, ndërsa në korrik të 2016  dha dorëheqjen pas skandalit me tenderat e ushqimeve që përfshiu institucionin që drejtonte.
 
Por pas arrestimit të Iljaz Labit në korrik 2016, sot është arrestuar edhe ish-drejtori i tij, Zoto, pasi dyshohet se është i përfshirë.

Në total shkon ne 6 numri i të arrestuarve për tenderat e ushqimeve në burgje, pasi në Korrik së bashku me Labin u arrestuan edhe katër administratorët e kompanive që ishin përfshirë në tenderat fiktivë.

DENONCIMI
Një vit më parë, pikërisht më 8 maj të vitit 2016 një qytetar dixhital denoncoi në faqen zyrtare të ‘Facebook’ të ish-kryeministrit Sali Berisha se Artur Zoto merrte ryshfete. Sipas qytetarit, i cili ishte punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për një transferim nga një paraburgim në një burg kushtonte 600 €, ndërsa një vend pune varionte nga 3000 € deri në 5000€. Ndërkohë, Ministri Drejtësisë, Ylli Manjani reagoi në atë kohë, ndërsa ftoi denoncuesin në fjalë që të paraqitet për kontakt pranë Ministrisë së Drejtësisë, për tu shqyrtuar kështu në rrugë zyrtare dhe shqetësimi i tij. Ai theksoi se do të merren masa nëse akuzat rezultojnë të provuara.

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi në rrjetin social ‘Facebook’, denoncimin që I kishte ardhur nga një qytetar në llogarinë e tij. Qytetari dixhital ka akuzuar drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoton se merr ryshfet.

Dy muaj me pas, Artur Zoto u dorëhoq nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në korrik të vitit 2016 me motivacionin për arsye personale. 

dy.b/shqiptarja.com