DIBËR- Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Bulqizës, pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur ‘Lugu i Menës’ në zonën pyjore në Fushë-Bulqizë. Ndërkohë pas kontrollit në vendin ku u gjet i kultivuar kanabisi, u gjet e fshehur dhe u sekuestrua një armë gjahu që 19-vjeçari e posedonte pa leje dhe 2 telefona celularë.
'Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, kapjen e personave në kërkim apo të atyre që mbajnë apo qarkullojnë me armë zjarri pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, si rezultat i kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në një zonë pyjore në Fushë-Bulqizë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 19 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se është autori i kultivimit të disa bimëve narkotike në vendin e quajtur 'Lugu i Menës'.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të vendit të ngjarjes u gjet e fshehur dhe u sekuestrua një armë gjahu që 19-vjeçari e posedonte pa leje dhe 2 telefona celularë.'- njofton policia.