TIRANË - Në një operacion të koduar "Kombinimi" u vu në pranga një 40-vjeçar për armë zjarri pa leje dhe tregtim të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, arrestuan E. R., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se 40-vjeçari, tregtonte lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi në zonën e Freskut dhe Kinostudios, në Tiranë.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, u bë e mundur që gjatë zhvillimit të operacionit, në zonën e Freskut, të kapej në flagrancë 40-vjeçari, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Kontrolli ka vijuar në banesën e 40-vjeçarit, ku Policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, doza të tjera me kokainë, cannabis sativa dhe ekstazi, si dhe peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike.
Ai do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.