TIRANË - Kompania ‘gjigande’ SHELL do të zotërojë tashmë 100% të aksioneve për kërkimin e naftës në zonën e Shpiragut, duke nisur nga 15 marsi. Kompania Petromanas njoftoi të hënën shitjen e 25% të aseteve të veta tek partneri SHELL, me të cilin që prej shkurtit të vitit 2012 vepronte në kuadër të një marrëveshjeje hidrokarbure kërkimi nafte. Transaksioni është në vlerën e 45 milionë dollarëve, referuar njoftimit të Petromanas në faqen zyrtare dhe nga data 15 mars, SHELL do të jetë ligjërisht kompania e vetme me të drejtën për kërkimin e naftës në blloqet  2 dhe 3.

Partneriteti Petromanas-SHELL
Petromanas dhe SHELL ishin bashkarisht pjesë e një kontrate për operacionet e kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3 në Shqipëri, ku janë realizuar edhe shpimet e tre puseve: Shpirag 1, Shpirag 2 dhe Molisht 1. Më 5 gusht të vitit të shkuar, këtyre dy kompanive iu dha e drejta që të negociojnë për kërkime dhe në bllokun 4. Derimëtani, Petromanas dhe SHELL ndanin mes tyre respektivishtnë 25% dhe 75% të aksioneve në këto marrëveshje hidrokarbure. Sipas transaksionit të arritur dhe njoftuar tanimë nga Petromanas, SHELL do të marrë kontrollin e plotë të aseteve në këto marrëveshje.

Ky konsiderohet një zhvillim pozitiv për industrinë e naftës në Shqipëri. Kjo, pasi, pavarësisht çmimeve të ulëta në tregjet botërore, vazhdon të mbetet i lartë interesimi i kompanive prestigjioze për naftën shqiptare.
Koncesionarët e naftës. Qeveria shqiptare ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si: Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy Company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum. Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherëood International Petroleum dhe iECVisoka.

Kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend është Bankers Petroleum, referuar të dhënave nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. Kjo kompani është operatori i vetëm në Patos, Marinzë. Patos Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17.8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuci naftë.
Stream Oil & Gas Ltd është kompania e dytë më e madhe në vend e prodhimit të naftës. Ajo shfrytëzon 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe në fushën gazmbajtëse të Delvinës.

Gjiknuri: Interesimii SHELL, “lajm shumë pozitiv”
“SHELL, një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë në fushën e naftës ka vendosur ta zgjerojë aktivitetin në Shqipëri. Ajo tashmë ka marrë plotësisht kontrollin e marrëveshjes koncesionare të kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3, ndërsa po negocion një tjetër marrëveshje pë rbllokun 4. Ky është një lajm shumë pozitiv për të ardhmen e industries hidrokarbure në Shqipëri. Rritja e interest nga kompania SHELL si dhe afrimi i gjigandit izraelit të naftës Navitas Petroleum, pjesë e Delek Group, shton pritshmërinë për potencialet që ofron vendi në fushën e naftës. Pavarësisht faktit se çmimet e naftës kanë pësuar rënie në tregjet botërore, rezervat e naftës në nëntokën shqiptare shihen me interes për kompanin ndër më prestigjiozet në botë. Ky interesim në rritje i kompanive serioze është gjithashtu një konfirmim i suksesit të politikave të ndjekura nga qeveria në zhvillimin e industries hidrokarbure”. 

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)