Dikur me sytë drejt një jetë më të mirë dhe me mendimin veç të largoheshin, sot banorët e Arrnit në Kukës kanë kthyer vëmendjen serish nga vendlindja.

Disa nga familjet e larguara kanë filluar të rikthehen. Ka prej atyre që kanë investuar në rikonstruksionin e banesave që vite më parë i kishin braktisur.

“Njerëzit janë kthyer nëpër shtëpi. Duket sikur kanë zhvillim”, thotë Fadil Marku, kryeplaku i fshatit.

Disa nga banorët e dikurshëm të Arrnit në Kukës po e shikojnë si një mundësi të mirë dhe operimin në fushën e turizmit, nisur dhe nga të huajt që e vizitojnë zonën.

Arrni është perlë, pavarësisht se nuk e ka vënë dorën kush. Është vend shumë i mirë, mund të zhvillohet turizmi normalisht”, shtoi Marku.

Për banorët e Arrnit domosdoshmëri mbetet ndërhyrja në infrastrukturë si e vetmja mundësi që potenciali natyror i zonës, por dhe investimet e banorëve që kanë filluar të mendojnë rikthimin të bëhen më të lehta.

“Këtu jetohet, por gjithmonë duke pasur në krah shtetin me infrastrukturë, energji, ujë”, thotë kryeplaku.

Mes qetësisë së maleve dhe bukurive natyrore që e rrethojnë, Arrëni mbetet një ndër potencialet natyrore të veriut, por që fatkeqësisht i mbetur vite pas sa i përket infrastrukturës dhe dorës së shtetit.