TIRANE - Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, ka prezantuar sot Strategjinë e Arsimit Parauniversitar 2014-2020, që orienton politikat afatmesme dhe afatgjata sektoriale për përsosjen e arsimit paraunivesitar, sipas vizionit të qeverisë. Sipas Malaj, strategjia për një arsim gjithëpërfshirës, do të mbështetet në strategjinë e BE-së për sistemin arsimor. 

“Kjo Strategji ka si objekt të saj kryesore nxënësin dhe formimin e plotë të tij duke e aftësuar atë për tregun e punës, në mënyrë që mos të kemi më analfabetizëm funksional, por fëmijë të aftë duke nxitur elementët e veçantë të tyre”, u shpreh Malaj.

Strategjia e Arsimit Parauniversitar merr parasysh parimet dhe praktikat më të mira, trajton gjendjen e SAPU-së (Sistemi Arsimor Parauniversitar) dhe propozon ndërhyrjet për secilën prej përparësive të vlerësuara si më të rëndësishme. Malaj gjithashtu u shpreh pozitivisht në lidhje me unifikimin e sistemeve arsimore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kjo Strategji është dhe një nga përbërësit e Planit Strategjik të Arsimit 2014-2020. Reformat, transformimet dhe masat zhvillimore në arsim, do të mbështeten në modele të frytshëm planifikimi, menaxhimi dhe vlerësimi.

Puna për hartimin e kësaj Strategjie ka filluar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në prillin e vitit 2014. Gjatë periudhës prill-gusht 2014, u përgatit “Raporti Paraprak për Reformën e SAPU-së”. Nga diskutimet lidhur me këtë cështje u caktuan objektivat dhe pritshmëritë sipas përparësive të përcaktuara.

Në periudhën shtator-dhjetor, u organizuan kërkime për të njohur veprimtarinë e institucioneve arsimore në Shqipëri. Në vitin 2014, u organizuan tre ëorkshope, në të cilët ekspertë vendas dhe të huaj, mësues, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe shoqëria civile kanë kontribuar si në identifikimin e pikave të forta, problemeve, vështirësive, ashtu dhe në zhvillimin e kornizës konceptuese.

Ndërkohë, diskutimet rreth kësaj Strategjie nga MAS do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim.

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)