Partia e Lirisë ka mbajtur një konferencë studentore me qëllim që të dëgjojë problemet e të rinjve dhe të vendosi prioritetet që sipas saj, duhet të ketë Shqipëria. Në fjalimin e tij para të rinjve, kreu i PL, Ilir Meta, u shpreh se arsimi është prioriteti i partisë së tij dhe mbi të gjitha zëri i rinisë shqiptare e mendimet e tyre për përmirësimin e vendit. Ai ka fajësuar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij duke thënë se nuk i kushton vëmendje rinisë shqiptare. Pjesa më e madhe e fjalimit te tij ishte me pyetje drejtuar të rinjve në mënyrë direkte, si dhe nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë e Ramës si arsyeja e largimit të të rinjve shqiptar jashtë Shqipërisë.

“Si mundet të mos dëgjohet zëri juaj? Ç’është ajo mendje e marrë që mendon se do të zbehë zërin tuaj e do të trembë shpirtin tuaj, se do të kufizojë ëndrrat tuaja dhe do ju bëjë të mundoheni duke punuar që të vijoni studimet e të humbni kohë për t’iu përkushtuar dijeve? Ç’është ajo mendje e marrë që mendon se duke mos mbështetur pedagogë e Universitet do të arrijë të demoralizojë të rinjtë, të kërrusi pedagogët që kanë nevojë për mbështetje që të bëjnë me përkushtimin e cilësinë e duhur punën e tyre?"- tha Meta.

Ilir Meta ka përmendur edhe Bordin e FMN në argumentin e tij për të theksuar sipas tij qeverisje e keqe të Ramës, madje duke akuzuar se paratë e shqiptarëve vjedhur për të realizuar projektet prsonale të Ramës e jo projektet për ndërtimin e rrugëve të reja. Madje, Meta nënvizon se fondet e arsimit e çdo burim tjetër të ardhurash shkojnë për oligarkët e Ramës.

"Ky është një shtet i papërgjegjshëm se ka një qeveri të tillë. Bordi i FMN dha alarmin për PPP, për koncesionet që nuk janë më nën kontrollin e askujt për qindra milion e miliard euro që janë taksat që paguajnë prindërit tuaj që shkojnë dëm. Sa është vlera e gjithë tarifave që paguajnë studentët sot? Sa një kilometër e gjysmë rrugë sot. PL dëgjon shqetësimin tuaj dhe të prindërve tuaj, ndaj PL e ka vendosur arsimin si kryeprioritet, si çështjen e parë që duhet vendosur sot e në të ardhmen kur diskutohet për buxhetin e shtetit. Për qeverinë sot prioritet janë oligarkët ndaj fondet shkojnë për oligarkët dhe rrugët që nuk bëhen kurrë.", vijoi kryetari i PL.

Mbi të gjtiha, fokusi i konferencës studentore ishin të rinjtë, prandaj fjalimi u hap dhe u mbyll me në qendër të rinjtë shqiptar dhe problemet e tyre, ku sipas Metës, emigrimi është ai kryesori. Sipas tij, të rinjtë nuk largohen nga mospasja e dëshirës për të jetuar këtu, por mospasja e mundësive.

"Nuk ka dështim më të madh për një të ri kur nuk arrin të gjej një vend pune për formimin që ai dhe familja kanë investuar. Është vënë në pikëpyetje e ardhmja e universiteteve, 40 përqind ka pësuar ulje numri i studentëve në Universitetin Bujqësor. Gjermanishten mësojeni por jo për të ikur nga vendi se atje mund të gjeni gjithçka, veç Atdheut dhe prindërve”, pwrfundoi Meta.