Të rinjtë që do të studiojnë në shkollat profesionale do të marrin edhe bursa të plota për konviktin dhe shpenzimet e arsimimit të tyre.  Kështu ka deklaruar ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një vizite në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër.
 
Veliaj theksoi rëndësinë që po tregon qeveria ndaj arsimit profesional, si mundësia më e mirë për t’u punësuar.
 
“Kjo shkollë është e vetmja që ofron kurse dhe arsim profesional në qarkun e Gjirokastrës, prandaj dua t’i ftoj prindërit që këto ditë janë në dilemë për shkollimin e fëmijëve të tyre, të zgjedhin arsimin profesional si mundësi reale për punësim në të ardhmen”, tha Veliaj.
 
Ministri Veliaj theksoi se është e rëndësishme të fokusohemi te zanatet dhe jo te gjithollogët, për të cilët tregu nuk ka nevojë.
 
“Dua t’i ftoj të gjithë ata të rinj që kërkojnë të shkojnë në shkollë për të gjetur punë dhe jo për të marrë një fotokopje diplome sepse arsimi profesional është një zgjedhje inteligjente. Sot, 90% e kërkesave në zyrat e punës kërkojnë njerëz që dine të bëjnë diçka me duart e tyre”, tha Veliaj.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)