TIRANE - Qeveria e konsideron arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit. Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.

Ndërkohë që sfidë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, t’u japim atyre mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi.

Nga ana tjetër me një agjendë sociale që na ngarkon të drejta e detyra të gjithëve, duam të ndërtojmë shoqërinë, ku energjia, kreativiteti e mundi i secilit të gjejë hapësirë jetësimi, përmes shtetit që ofron shërbime publike sipas nevojës. Ndërkohë për median, kuadri ligjor, që garanton pavarësinë e medias është tërësisht i deformuar në praktikë. Marrëdhëniet me median do të rinovohen duke i dhënë fund presioneve e favoritizmit.