Artan Didi: Hyrja në
Lazarat, jo pa politikën

Artan Didi: Hyrja në<br />Lazarat, jo pa politikën
TIRANE- Mijëra kilogramë hashash do të mbeten ende të paprekura në Lazarat. Ky ishte mesazhi që Drejtori i Policisë së Shtetit përcolli dje nga Lazarati, kur kërkoi ndihmë ndërkombëtare për ndërhyrjen atje. Dritan Didi theksoi se emërimet e reja në polici synojnë largimin e të korruptuarve.

Pamundësia e bluve për të ndërhyrë tani në Lazarat, pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe emërimet e reja në Policinë e Shtetit ishin në fokusin e fjalës së djeshme të kryepolicit Artan Didi, gjatë një inspektimi në pikën kufitare të Kakavijës. Teksa kryeshefi i policisë u referohet italianëve si palë pjesmarrëse në parandalimin e kultivimit të kësaj bime narkotike, vetë zyrtarët e Përtej Adriatikut kanë deklaruar se “Në dy muaj, avioni P166DP1 i Komandës së Operacioneve Detare ka gjurmuar 12.5 për qind të territorit shqiptar, duke marrë 680 Gb imazhe në zonat me rezolucion të lartë, deri në 5 cm, Të dhënat krahasohen me një satelit, në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të Universitetit të Napolit”.

Qershorin e vitit të kaluar u firmos marrëveshja e përbashkët e monitorimit detaro-ajror e më pas janë fotografuar 500 plantacione hashashi në Shqipëri, me vlerën e rreth 5 miliardë eurove, kurse vetë Lazarati 7 mijë banorësh, i cilësuar si kryeqyteti evropian i hashashit, sot disponon më shumë se 60 hektarë, pra të paktën 300 mijë bimë, ose 500 ton mariuhanë, nga 1 mijë ton në total që mendohet se u kultivuan në total sivjet në Shqipëri. Didi kërkoi edhe ndihën e politikës për ndërhyrjen në fshatin problematik. Para pak javësh, Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të dosjes prej më shumë se 1 mijë faqesh, ngriti një Task-Forcë, ku nëse operacioni do të ishte realizuar, do të arrestoheshin rreth 50 persona të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Didi tha se “Nuk fshihemi përballë Lazaratit, do të luftojmë krimin.

Për Lazaratin duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet. Duhet ndihmë edhe nga jashtë për të ndërhyrë”. Gjithësaherë janë organizuar operacione për shkatërrim bimësh hashashi në Lazarat, ka patur kundërpërgjigje me mitraloz të rëndë apo kallashnikov, janë qëlluar helikopterë ose janë sulmuar komisariate, ndaj Didi i referohet mirëorganizimit të të gjitha strukturave. Organizimi i zgjedhjeve, një herë në 2 vjet dhe përqenndrimi i thuajse të gjitha forcave policore, në mbarëvajtjen e tyre, janë përdorur shpesh nga zyrtarët e lartë të policisë, si shkaqe madhore në lëshimin pe ndaj trafikantëve, që në fazën e kultivimit të kësaj droge.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit foli edhe për lëvizjet në institucionin që ai drejton, duke përmendur spastrimin nga të korruptuarit, duke thënë se “do të rishqyrtohen efektivët që janë në detyrë. Ata që punuan me ndershmëri, do jenë pasuria e policisë.” Ndërkaq, në kuadër të reformës në Policinë e Shtetit, dje është shkarkuar nga detyra shefi i komisariatit të policisë së Librazhdit, Agim Harizaj. U emërua Gramoz Dasku dhe u liruan 19 policë në këtë qark. Deri më tani janë ndërruar drejtorët e policive në qarqe, shefat e disa komisariateve në Tiranë e rrethe dhe janë liruar nga detyra me dhjetra policë e oficerë.

Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim