Me daljen në dritë të dramës B2, veprimtarisë letrare të Gjovalin Gjadrit i shtohet nji shtyllë themelore që bashkë me librin bestseller “Letra grues seme të vdekun” na shtojnë kërshërinë me kuptu ma mirë inxhinierin enigmatik që diti me rreshtu si pak kush përkushtime plot adhurim për të dashtunën, gruen e tij tashma të vdekun. Shkrimtari i diskutimeve të thella mbi ekzistencën, përzgjodhi shi tragjiken me coptue krejtësisht zemrën e tij, duke gjetë kështu arsye për me vazhdue nji jetë në suazen e normales, nën pektin e respektuem të nji tekniku veprat e të cilit do t’gëzonin njohje dhe vlerësim deri në arenën ndërkombëtare. Gjovalin Gjadri dhe pena e tij kishin krijue katër letra simotra të letrave ma të bukra të shkrueme ndonjiherë, hymn tragjik mbi dashuninë e përjetshme, duke mos e lane hartën letrare të Shqipnisë pa letra dashunie të nji stili Romeo e Juliette. I botuem për herë të parë në gjermanisht në vitin 1943, u desht me kalu ma se gjysmë shekulli para se libri të vinte i përkthyem pjesërisht në shqipen standarte në vitin 1997, e vetëm në vitin 2017 do i vinte lexuesit i përkthyem plotësisht në gegnishten letrare.
Normalisht lindin pyetjet:
- Kush asht Gjovalin Gjadri, kjo penë e rafinueme që tragjikisht trazon shpirtin e lexuesit, duke e ba me mendu për dritëhijet e ekzistencës?
-A jane kto dy vepra të vetmet që ai ka shkrue?
-A ka shkrue ai që në rininë e hershme?
Gjovalin Gjadri lindi në Shkodër në vitin 1899, mbeti jetim në moshë të njomë dhe ka pas fatin me u shkollue në Kolegjin Saverian, të qytetit të lindjes. Në moshën 15 vjeçare shkon në Krems, Vjenë me bursë studimi, deri në diplomimin si inxhinier në vitin 1925 nga Shkolla e Naltë Teknike e Vjenës. Gjadri vjen në këtë jetë në nji kohë stuhish globale ku përleshen feudalizmi, kapitalizmi dhe idetë e reja bolshevike. Ai përjeton Luftën e parë Botnore, Revolucionin Rus e më vonë dhe Luftën e Dytë Botnore. Vdekja dhe tragjedia e shoqnojnë autorin thuejse gjatë gjithë jetës së tij.
“Nuk kam atdhe” pranon i dorëzuem Enriku, personazhi kryesor. Autori na prezanton nji personazh me elemente të qytetarit të botës, elemente këto të identifikueme që në lashtësi nga filozofi grek Diogenis 412 BC, e ma vonë në personalitete të shkencës dhe filozofisë së shekullit të 20 si Albert Einstein, Immanuel Kant, Hugh Schonfield, Garry Davis, etj.
Nji rast i mirënjohtun i nji qytetari të botës asht shkencëtari nobelist Albert Einstein, ai besonte në paqen universale, pa nacionalizëm dhe pa bomba atomike.
Hipoteza e inxhinierit që u kthye në shkrimtar duke i dorëzu lexuesit nji vepër të paharrueshme, e cila mbasi lexohet mbet si nji hije e lehtë diku në koshiencë, bjen poshtë me botimin e dramës B2. Dy veprat e Gjadrit megjithëse janë të shkrueme të paktën nji dekadë larg njena tjetrës, posedojne të njajtin stil dhe intensitet mendimi. Ekziston mundësia të ketë shkrue edhe ma heret në rininë e tij, por si perfeksionist që ishte nuk e ka marrë guximin me i botu shkrimet e tija, të paktën deri kur jeta e vuni përballë përzgjedhjes, me vdekë duke ju bashkue së dashtunës apo me jetu tuj shkrue, tuj botue e tuj u djege për të.
Detajet sporadike të informacionit mbi krijimtarinë dhe jetën e autorit deri pak vite ma parë kanë kenë të pamjaftueshme me kuptue plotësisht formësimin dhe personalitetin e tij. Botimi i parë i dramës B2 vjen i shoqnuem me nji parathanie të thukët me informacion të gjane e të saktë, që na ban me kuptue në linje lineare zhvillimin e jetës tragjike të Gjovalin Gjadrit.
“Rreziku i përjashtimit pa të drejtë apeli i rrin varë mbi krye vetë autorit të dramës gjatë gjithë jetës, lirinë e së cilës ai e ruen me nji mburojë ashpërsie karakteriale që e ndihmon me ruejt distancën e duhun me filistinizmin e përbotshëm që e rrethon. Çdo gja e randësishme tek ai e ka zanafillen mbrenda unit. Aty nis e përfundon lufta, edhe pse ndonji betejë zhvillohet jashtë asaj përmase të mbrendshme.” shkruen Ardian Ndreca autor i parathanies dhe përkthyes i dramës.
Arti ekspresionist i Gjadrit lind si nji muzikë funebre që na lejon me andrrue ringjalljen e nji bote ma te mirë.
Ai don por nuk mundet me e besue zotin, ai don por nuk mundet me e besue dashuninë e Tatjanës, ai e don aq fort vendin e vet, të cilit nuk mundet me i përkit tashma krejtësisht.
Drama B2 lëvron disa nga linjat themelore të shoqnisë së shekullit të 20 nganjëherë në mënyrë individuale e shpesh të ndërthuruna me njena tjetrën.
1)Linja e parë asht ajo e familjes, e ndërthurun me atë të dashunisë ndërmjet dy karaktereve kryesore Enrikut dhe Tatjanës. Preket gjithashtu vendi, roli dhe randësia e grues në familje dhe shoqni. Autori zgjedh me prue në skenë një familje jo konvencionale për kohën. Bahet fjalë për familjen e Tatjanës, ajo jeton me nanën dhe njerkun, baba biologjik i Tatjanes nuk jeton. Familja ban pjesë në një shtresë me nivel sipër mesatares, kjo vërehet nga veshjet, sjelljet dhe komunikimet mes tyne. Marrëdhania babë e bijë na ban menjëhere për vehte me ngrohtësinë, kuptimin dhe dashuninë konstante deri në fund. Marrëdhania mes Anna Feodorovnës dhe Aleksej Nikollajevicit karakterizohet nga një mirësjellje dhe korrektësi e ftohtë, të cilën krejt familja duke përfshi edhe Tatjanën e pranon pa e vue në diskutim.
Në dialogun e maposhtëm mund të shohim një burrë të qetë dhe të lumtun aq sa mund të pretendohet në nji martesë “nën kontratë” dhe nji të ri që mundohet me gjetë nji balancë mes familjes që dëshiron me formue me të dashtunën e zemrës dhe pozicionit të tij ndaj grues pa harrue “doket e vendit të tij”
“Aleksej Nikollajeviç (i qetë): Ka me të kalue gazi shpejt i dashun…
Aleksej Nikollajeviç: Hem, për shembull kur të martohesh!
Enriku: Kisha me dashtë mos me ba garë me ty për të ndejtunit nën pantofla të grues!”
Për ma tepër Enriku i vumë në provë nga Aleksej Nikollajeviç bjen në pozicionin e nji burri të dashunuem që pretendon me e materializue pronësinë e grues së tij të premtueme, si të vetmen rasë të nji familjeje funksionale:
“Enriku: Puna e martesës qëndron kështu: kur due un nuk don ajo e kur don ajo nuk due un!
Aleksej Nikollajeviç: Këto janë trille apo janë justifikime?
Enriku: Jo! S’e gjejmë dot shtegun për te njeni tjetri.
Aleksej Nikollajeviç: Këtë s’e kapi dot. Tatjana asht e mrekullueshme!
Enriku: Pikërisht për këtë gja! Nji njeri i mrekullueshëm duhet sundue dhe lidhë, ndryshe zhgënjehet.”
Enriku dhe Tatjana janë dy të rinj të dashunuem që e adhurojnë njeni tjetrin. Dashunija e tyne asht një barkë e vogël me vela në oqeanin e tërbuem nga stuhitë që po përjetonte Europa e asaj kohe, ajo mundet me i çue shumë shpejt drejt shkatërrimit total. Të rinjtë të dehun nga aventura e ndjenjës nuk arrijnë me lexue qartë njeni tjetrin, njisoj si nji libër qe nuk mund të lexohet kur e kena ma afër se duhet. Tatjana me nji za të trishtë pyet babën e saj:
“-Më thuej pse piktori Aiwasowski nuk i ka pikturue pamjet e tija të detit nën dritën e hanës?” Siç duket autori ka kenë njohës i mirë i artit, jetës dhe filozofisë të Aiwasowskit nji nga mjeshtërit ma të mëdhenj të pikturës së ujnave detare.
Dy të rinjtë e dojnë njeni tjetrin në plane të ndryshme të diktuem nga prejardhja dhe gjinija e tyne. Enriku e don aq shumë Tatjanën, sa dashunija e saj nuk i duket në të njatin nivel me atë të tijën. Ndjenja e inferioritetit e shtyn në kërkimin e pseve të panumërta, dhe ma vonë në largimin e pashmangshëm. Ai lufton mes ndjenjës dhe detyrës “doket”që ka mbart me vehte nga vendlindja peshojnë ma fort, pa e leju me gjetë paqe. Tatjana nga ana tjetër don vetëm me e jetu dashuninë e saj me sy mbyllë, sepse ndryshe mendimet munden me kenë të zhurmshme e të papërballueshme.
2) Linja e dytë ka të bajnë me jetën profesionale të inxhinierit Enrik Vremida, përplasjet ideologjike, kapitalizmi, bolshevizmi dhe vendi i tij në shoqërinë ruse.
Enriku asht i drejtpërdrejtë kur vjen rasa me mbajt qëndrim ai nuk flet me emocion por me një analizë të ftohtë dhe të qartë, duke mos përzi profesionalen me ndjenjat.
“Enriku: Sepse, krejt e thjeshtë, profesioni i inxhinierit nuk e edukon zemrën, ai formon mendjen në mënyrë të njianshme.'
“Enriku: Asht e sigurtë që sistemi kapitalist që përfaqson vetëm klika monetare e interesa raciale e ashpërson luftën profesionale dhe e zhvendosë atë në nji terren jo fort të përshtatshëm përsa i përket ndershmënisë. Por këto rrethana nuk kushtëzojnë vetëm qëndrimin e inxhinierit ndaj jetës. Për këtë asht edhe nji moment tjetër që ka nji rol krejt të përcaktuem. “
Enriku shumë shpejt do të ketë rastin të zhgënjehet nga bolshevizmi dhe metodat e tija të dhunshme, në përpjekje të implikimit të ideologjisë së tyne duke fillue me popullin rus.
“Shokë, kush s’i kupton idetë tona nuk asht me ne! Ne s’mund ta bindim atë! Rruga e krimit errëson sytë dhe shurdhon veshët! Ne kemi të drejtën me imponue vullnetin tonë. Ne s’kemi frikë me përdorë dhunën, madje ne bazohemi tek ajo. Me këtë parim e kemi ça rrugën mes urisë dhe mizerjes. Veç revolucioni i përbotshëm mund të sjellin paqen botnore.”
3) Linja e tretë na shpalos diskursin mbi filozofinë dhe ekzistencializmin, duke u konkretizu tek raporti i Enrikut me zotin.
Autori zgjedh momentin ma delikat të ekzistencës, atë moment kur ndihet prania e vdekjes, mundësia për ta taku atë mund të shfaqet nga casti në cast. Frika si mjet dhune e nënshtrimi nuk i shkon përshtat Enrikut, ai mban qëndrime të ngurta dhe nuk arrin me falë ato që i vodhën fmininë.
“Dashunia nuk vendosë kushte! Jam gati me pranue nji Zot. Por jo atë tandin. S’due me e fitue Parrizin prej frikës së Zotit, por jam gati me shkue në Ferr për hatër të dashunisë për Hyun. “
“Prej dashunisë jam ba i devotshëm. Hareja kumbonte tek un psalmet e saja. Priftin, përndryshe të urryem, e ndigjoja me dëshirë tek fliste për të, për Zojën. Tregonte për mrekullina përrallore të shejtnores së Lourdes. E un besoja në mrekullina, për hatër të dashunisë së Zojës.”
“A ke pa ndonjiherë nji fëmijë të vorfën tue qa? Vetëm këtë të pyes, kurrgja tjetër! Loti rrumbullakoset plot me mjerim, ai ka në vetvete nji botë me dhimbje. Tek ai resa e skamnorëve shkrihet në asgja. Qaj me lotët e nji fëmije të këtillë e ke me u ba edhe ti nji bolshevik.”
Ky dialog ka nota të dukshme autobiografike, asht Gjovalin Gjadri që dialogon me ndërgjegjen e tij dhe në fund ai nuk jep një përgjigje përfundimtare, dialogu mbetet i hapun për lexuesin me e plotësue në vijim.
“Papritmas kam kaq frikë. Terri më rrethon, zbraztia, asgjaja, diçka e tmerrshme si asgjasimi i jetës më afrohet pandalshmënisht.”
Dinamizmi asht prezent gjatë gjithë dramës duke përdor shpesh ironinë apo humorin e hollë gjatë replikave, duke ndryshu tensionin e momentit në funksion të përqëndrimit në detaje të ndryshme apo duke ndryshu dritë hijet e mbrendshme të karaktereve. Personazhet dytësore janë të zgjedhuna me shumë kujdes. Me anë të nji qasje persistente në nji kohë të shkurtë, duke dhanë efekte të menjëhershme në zhvendosjen e vëmendjes tek një topik tjetër i parapërcaktuem.
Babushka me ironine dhe humorin e saj original, na jep figurën e përvujtun të nji dadoje me dashuni amnore që kujdeset për Enrikun jo vetëm nga ana materiale por edhe nga ajo shpirtnore.
Ipeshkvi Brisanski ngulmon me e kthye Enrikun në rrugën e drejtë të shpëtimit e përkushtimit ndaj zotit, zakonisht te pashmangshëm në pozicionin e tij të pashpresë ku asgjesimi total shihet si eminent.
Grupi rinor me të cilin shoqnohet Enriku shfaq herë mbas here elemente të lëvizjes feministe. Lirija e vajzave në veshje, në vendimmarrje si edhe respekti ndaj tyne i gjinisë mashkullore janë të mirëprituna por të trajtume në nji dritë të lehtë dyshimi nga autori. Janë këto elemente që paraprijnë revolucionin seksual të viteve në vijim.
Në skenën e fundit na shfaqen Enriku dhe Tatjana në nji dialog të ngarkuem nga ana sentimentale, në një ambiancë melankolike që e ban të vështirë për spektatorin mos me lotu. Ata arrijnë me mbledh nji tufë kujtimesh nga dashnija e tyne e vrame prej kushteve dhe shoqnisë ku jetojnë. Lotët e tyne të vokët e fjalët e ambla janë dëshmi e qartë se shpirti i tyne nuk asht bjerr. Tatjana dhe Enriku e ruajnë me fanatizëm hinin e nxehtë, të dashunisë së tyne të fikun. Humanizmi dhe mirësia e tyne triumfon kësaj here mbi tragjedinë e tyne personale.
Gegnishtja me prezencën e saj thekson hijshëm aromat, ngjyrat dhe shijet në skenë, duke komplimentu skenografinë, muzikën dhe dritën që së bashku formësojnë panoramën elegante të viteve ‘20. Zhandrri i dramës na falenderon kandshëm tuj u shtye nga mungesa e forcueme ndër vite.
Drama “B2” vjen vrullshëm si një uragan i fuqishëm shkatrrimtar mbi të gjitha “tokat e premtueme”, të cilat i refuzohen autorit nga vetë jeta. E megjithatë çdo mendim, diskurs apo replikë përçon ndjenja të forta që burojnë nga dashunija e tij e madhe për jetën, njerëzit, atdheun dhe humanitetin në përgjithsi. Ky uragan e ka emnin “Gjovi Maranaj”.