Arti me gojë të mbyllur, Behar
Gjoka: Ende nuk dua ta besoj

Arti me gojë të mbyllur, Behar<br />Gjoka: Ende nuk dua ta besoj
Behar Gjoka ka reaguar menjëherë pas bërjes publik të faktit se asnjë artist nuk mund të intervistohet, nëse nuk merr më parë leje nga instancat e larta. Sipas tij, kjo është e patolerueshme.

Ja reagimi i plotë i tij
Ende nuk dua ta besoj, që është shkruar e zeza mbi të bardhë, se artistët duhet të marrin leje që të flasin në media! Jepet një urdhër që mban firmën e titullarit të Teatrit të Operas dhe Baletit, si një gjë e zakonshme. Tmerr pa fund apo fund i tmerrshëm, a mbase të dyja bashkë, një mjedis me shurdhëmemecër! Kujt i duhen artistët pa gojë, arti që hesht, njerëzit që hyjnë e dalin si hije! Tani, në kohën e rilindjes, me sa duket, pa rilindje, sërish shfaqen fantazmat e censurës, që në emër të burokracisë mbytet arti dhe artisti, qenia më e brishtë e kësaj kohe të shëmtuar, pa vlera dhe me mungesë dinjitetit, që po shkatërron gjurmët e fundit të lidhjes me këto institucione, që duket se parësor kanë menaxhimin e fondeve, madje në shumicën e herëve, të përcjelljes së tyre në drejtim të paditur. 

Si gjithçka tjetër, vrasësit dhe kriminelët, zakonisht ikin në drejtim të paditur, hajdutët dhe burokratët, gjithherët ia mbathin në drejtim të paditur. Arti, letërsia, kultura dhe institucionet e saj, duket se kanë marrë udhën për në drejtim të paditur. Fasada e Rilindjes, mbulon si me gjethe fikut mjerimin ku ka rënë kultura, arti, letërsia, e kjo falë politikave kulturore të dështuara, në thelbin e vetë, dhe në të gjithë treguesit.

Ngaqë artistët e të gjitha arteeve, pa marrin udhët e botës, ngaqë institucionet janë shndërruar në zyra ku merren mungesat, ku hartohen lista, se kush është pro dhe kundra titullarit, kush është kundra ministrisë e kush e ka më shumë xhan, tashmë duket se arti nuk ka lidhje më me institucionet. Arti është titullari, simbas mendësisë së vonë. Arti është drejtori i secilit institucioni!

Arti është ministria, janë zëdhënësat dhe zëmarrëset e saj, janë fituesit e projekteve, xhepambushëse, pa shënuar ndryshim në art dhe kulturë! Njerëz, që jeni të punësuar rastësisht, me artin dhe letërsinë, i ka vdekur ora artit dhe kulturës që ka nevojë për rolin udhëheqës, të partisë apo qeverisë së radhës. Arti është dëshmia dhe pasqyra më e qartë, ku prekim lirinë, madje për të qenë edhe skllevër të lirë.

Të legalizosh heqjen e të drejtës së fjalës është të marrësh shumë përsipër në këtë kohë kur fjala e lirë është realitet. Në një kohë kur fjala e lirë është një e drejtë kushtetuese, më tepër se degradim i institucioneve të kulturës, është tregues i nivelit të mishërimit të politikës kulturore, në shumicën e institucioeneve, ku themelore është të ruajmë çelsat e dyerve (mbase të kashtës). Të mbyllësh gojën e artistit, është të ngresh mure me artin dhe artistët.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden synon të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme

Presidenti Biden synon të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme