Bir i mjeshtrit të pikturës moderne shqiptare, Abdurrahim Buza, Kujtim Buza u rrit mes artit dhe ia kushtoi jetën pikturës, studimit dhe promovimit të kulturës shqiptare. Ai u nda nga jeta mbremjen e së enjtes, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar me qindra vepra.
I lindur në Tiranë në një familje me rrënjë të forta patriotike nga Gjakova, kreu studimet e larta për pikturë në Rusi (ish-Bashkimin Sovjetik) dhe zhvilloi një karrierë të gjatë mbi 65-vjeçare si krijues, studiues arti dhe pedagog.
Ai do të kujtohet veçanërisht për peizazhet e tij, ku natyra shqiptare, drita dhe ngjyra shndërroheshin në një gjuhë të veçantë artistike. Në veprat e tij ndërthureshin një vështrim impresionist e modern me motive tradicionale shqiptare, duke krijuar tablo të karakterizuara nga harmonia dhe atmosfera.
Për kontributin e tij në artet pamore shqiptare, në vitin 1983 u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”. Shumë prej veprave të tij janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Kujtim Buza ishte edhe drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve në vitet 1966–1969, ndërsa kontributi i tij u shtri edhe në studimin dhe edukimin artistik. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi atë një figurë të rëndësishme të artit pamor shqiptar, duke theksuar se ai “i kushtoi artit një jetë të tërë”.
“Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë. Veprat e tij, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, janë pjesë e një trashëgimie që pasuron kujtesën tonë kulturore”, shkruan Gonxhja.
Ndërsa piktori Pashk Përvathi e kujton si profesorin, kolegun dhe mikun e shtrenjtë, duke vlerësuar veçanërisht dashurinë e tij për natyrën dhe Shqipërinë. Për Helidon Halitin, humbja e Buzës është edhe humbja e një prej përfaqësuesve të një familjeje të madhe të artit shqiptar.
Ai sjell në vëmendje edhe lidhjen e veçantë të Kujtim Buzës me Kosovën, kontributin në edukimin artistik dhe urat kulturore mes Tiranës dhe Prishtinës. Një ndër artistët më të veçantë të artit shqiptar, Buza do të përcillet nesër për në banesën e fundit.
Komente
Komento