TIRANE - Artisti i njohur shkodran, Adrian Paci shkon në kryeqytetin grek më datë 5 shkurt,  me një ekspozitë të titulluar "The Guardians".
Me një krijimtari të re për ekspozitën e tij të parë në Athinë, Paci thotë se qëllimi kryesor i tij është ta transformojë Kalfayan Galleries, vendin ku do ta hapë ekspozitën, në një agjenci ku njerëzit që e kanë ndërruar emrin mund ta shkruajnë në fakt emrin e tyre të vërtetë.
Instalacioni kryesor i ekspozitës i quajtur "Names", konsiston në numrin e madh të imigrantëve në Greqi të cilët i kanë ndërruar emrat e tyre për ti kthyer ata në emra grekë.
Puna synon të merret me qëndrimin neutral krahas këtij fenomeni. "Në këtë mënyrë, imigrantët që e konsideruan emrin e tyre të vërtetë problematik për integrimin e tyre në Greqi, janë të ftuar që ta shkruajnë atë në një copë të vogël letre", thotë Paci.
Gjatë ekspozitës do të shfaqet edhe filmi me titullin "The Guardians", si një reflektim poetik në raportin mes fëmijërisë dhe vdekjes.
Tregimi i filmit ndodhë në qytetin e lindjes së artistit, Shkodër, në një varrezë. Në vitin 1990-të, këtë varrezë nisin ta pastrojnë disa të rinj, duke e larguar pluhurin prej varrezave dhe emrave të të vdekurve.
"Imazhi i këtyre të rinjve që lajnë këto varre po sillet në kokën time tash e disa kohë", pohon Paci.
Adrian Paci ka lindur në Shkodër, Shqipëri në vitin 1969 dhe  ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, më e fundit në AA, galeria e famshme e Architectural Association në Londër.
Paci ka jetuar në Shqipëri deri në vitin 1997, ku ka perfunduar Akademine e Arteve të Bukura, e më pas ka dhënë mësime të historisë së artit në Shkodër.
Ne 1997 u largua për në Milano të Italisë ku aktivizohet dhe bëhet i njohur në qarqet artistike, me punime të cilat shpesh herë në qender teëtyre pasqyrojnë jetën dhe traditën shqiptare të Pacit (si psh ne punimin "Turn On" apo "Apparizione" ku një vajze këndon shqip shoqëruar nga të afermit e saj).
Ai gjithashtu është një ndër artistët e parë shqiptar që ka marrë pjesë në "Biennale di Venezia" (1999), duke u pasuar me ekspozita në Amerikë, Itali, Gjermani, Zvicer, Australi, Angli, Suedi etj. Që prej 2003, Paci jep leksione në "Accademia Carrara di Belle Arti" në Bergamo dhe "Universita IUAV" në Venecie./ATSH/