Shërbimi i Provës, institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ka filluar funksionimin e tij në Shqiperi, nga qershori 2009-ës, dhe deri tani ka mbikëqyrur dhe mbështetur zbatimin e dënimeve alternative për më shumë se 2000 persona.
Aktualisht Shërbimi i Provës ka 4 zyra vendore, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier të cilat mbulojnë territorin shqiptar. Stafi i tyre, angazhohet në përgatitjen e raporteve të vlerësimit para dhe pas gjykimit duke vlerësuar prejardhjen shoqërore, kushtet familjare dhe planet konkrete për riintegrim shoqëror si dhe realizon mbikëqyrjen e të dënuarve me dënime alternative me qellim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes se veprave penale. Ky shërbim kryen kontroll mbi të dënuarit dhe vepron si mburojë për komunitetin.
Nga njëra anë u jep mundësinë autorëve të veprave penale të cilët kanë mundësi për riintegrim dhe rehabilitim në shoqëri të rifillojnë më shpejt jetën në komunitet ndërsa nga ana tjetër kontrollon dhe ndëshkon autorët e veprave penale duke vepruar si mburojë për komunitetin. Sigurisht për të arritur rezultate të kënaqshme veprohet në bashkëpunim me shërbimet lokale sociale dhe të mirëqenies për të nxitur dhe rritur mundësitë e përfshirjes në shoqëri. Pra deri këtu, duket sikur gjithçka është normale, por ka edhe disa gjëra që e kanë neveritur “Shërbimin e Provës”, të caktuara nga gjykatat. Prej vitesh, nën petkun e “Shërbimit të Provës”, po dalin dhe nuk po kryejnë vite burgu, zyrtarë të korruptuar, bashkepunëtorët e tyre, persona që janë kapur në flagranë me zarfe me mijëra euro, duke u akuzuar për korrupsiono, shkelje ligji, dhe abuzim me detyrën.
Ndalohen nga Policia e Shtetit, dhe pas 2-3 muajsh ata dënohen, por medemek jo me vite në qeli, por me “Shërbim Prove”. Pra, i korruptuari, shkelesi i ligjit, apo dhe autori plagosjes dhe grabitjes, duhet “riedukuar, riintegruar, duke vajtur në punë bashkë me komuinitetin”. Qasje më tallëse për organet e zbatimit të ligjit nuk ka. Dhe të mendosh se, jemi duke “shijuar” drejtësinë e re. Pra, ti zhvat para, bej korrupsion, “KÇK”, sepse pas 30 ditësh ndalim nga policia, gjykata të jep 3 ose 4 vjet burg, por në rreshtin e fundit të vendimit ka nja dy fraza që thonë se “dënimi tu konvertua në Shërbim Prove”, dhe se duhet të shkosh të punosh edhe ca ditë në “ndermarrjen e Pastrimit të qytetit tend.
Kush po tallet me shqiptarët, kush po tallet me Kodin Penal, kush po tallet me ligjet, zbatimin e tyre, kush po bën karshillëk me qytetarin e thjeshtë, që pasi i ka mbushur xhepin inspektorit të IKMT, apo OPGJ me zarfin me euro, del një gjykatës mediokër dhe i molepsur, dhe na jep një vendim skandaloz. Në popull, tanimë është krijuar perceptimi se, edhe po vodhe, edhe po bëre korrupsion, edhe po grabite dhe plagose (ndoshta edhe po vrare dike) , ka shanse të marresh dënimin me disa vite burg, por më shanse ke të marrësh “Shërbim Prove”.
I jap plotësisht të drejtë edhe kryeministrit Rama, kur atakon me të drejtë segmente të caktuara të kësaj drejtësie medemek “të re”, e cila duket hashiqare se, po stimulon korrupsionin përmes një klauzole të vetme që ka vendimi dhe dënimi ndaj të korruptuarit, “Shërbimin e Provës”. Në burgjet tona ka djem të rinj, që kanë hyrë atje dhe presin prej 1 apo 2 vitesh gjykimin, vetëm se kanë vjedhur ndonjë thes miell, apo ndonjë celular, dhe në përfundim të procesit, dhe nuk ndodh kurrë që gjyqtari të japë ndaj tyre denim të konvertuar në “Shërbim Prove”. Atëhere pse me dy standard në gjykim, pse me dy standarde në dënimin e veprave të tilla penale?/Javanews
Komente






