Arturo Ui-në e njoh edhe unë…!

Arturo Ui-në e njoh edhe unë…!
TIRANE- “Unë erdha midis njerëzve në kohën e revoltës dhe së bashku me ta u revoltova. Kështu kaloi koha, që m’u dha në këtë tokë...” Bertolt Brecht
 
Premiera “Arturo Ui” e datave 10 dhe 11 prill në Teatrin Metropol dëshmoi edhe njëherë që publiku shqiptar ka më shumë nevojë për premiera cilësore dhe për regjisorë si Armand Bora. Pjesëmarrje e pazakontë, pastaj duartrokitje, emocione dhe falënderime që po vijojnë ende pas shfaqjes.

Premiera e famshme e Bertolt Brecht nisi me një tufë lulesh në karrigen e shkruar me emrin e Kadri Roshit, aktorit të madh shqiptar që interpretoi Arturo Ui-në në vitet ‘70. Regjisori Armand Bora e ka pasur stimul gjatë punës së tij me premierën e Brecht-it nderimin dhe kujtimin e artistit të madh Kadri Roshi, aktorit më origjinal të skenës shqiptare, por edhe nderimin e regjisorit Pirro Mani që e ngjiti në skenë “Arturo Ui”-në në vitin 1971 në Teatrin Kombëtar.

Ky nderim për artistët është shoqëruar me vizionin modern që i dha regjisori Bora shfaqjes, duke na dhënë shembullin se zhvillimi dhe modernizimi i teatrit shqiptar nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse si vazhdimësi e traditës më të mirë që ka krijuar ky teatër. Premiera “Arturo Ui” në Teatrin Metropol ishte ndërkohë një sprovë dhe sfidë për regjisorin Armando Bora, që pas Arturo Ui-së së papërsëritshëm të Kadri Roshit të ngjiste në skenë një tjetër Arturo Ui të papërsëritshëm, aktorin Alfred Trebicka.

Trebicka i dhuroi publikut një vizion të ri të diktatorit, një vizion tipizues të dhjetëra diktatorëve bashkëkohorë në botë, duke mundur ta bënte këtë personazh më modern, më të ndjeshëm, pavarësisht luhatjeve diabolike të tij; nga një njeri i ndjeshëm dhe i dëshpëruar në një vrasës që nuk ka frikë. Loja e personazheve shoqërohej me elemente spektakli të sjella në skenë nga koreografi Arjan Sukniqi, me muzikë, me lëvizje profesioniste të arteve marciale.

Me këto elementë skenikë ngjitja në skenë e premierës së re të “Arturo Ui”-së ia arriti qëllimit. I dha publikut bashkë me kënaqësinë estetike edhe mesazhet e fuqishme! Premierën e bëjnë edhe më këndshme për syrin realizimet e kostumografes Laedia Hajdari, që ishin një vepër arti më vete. Skenografia e saj gjithashtu ishte në funksion të aktrimit perfekt të aktorëve Alfred Trebicka, Suela Konjari, Rozi Kostani e Violeta Trebicka, etj.

Pikturat e fytyrave të personazheve ishin të mrekullueshme. Drama e Bertolt Brecht “Arturo Ui” e ngjitur në skenë me regji të Armand Borës ishte një surprizë e bukur për publikun e Tiranës. U përjetua. Nuk kanë munguar gjatë këtyre dy vjetëve përpjekjet për të vënë premiera të mira teatrore, por ja që vetëm në njërën prej tyre ndodh të dëgjosh vlerësime të tilla si: “ishte një supershfaqje”; “kam 2 vjet pa parë një gjë të tillë në teatrot tona”; “Bravo Armando Bora, i urtë, por ka bërë goxha premierë”. Publiku nuk largohej pa takuar regjisorin dhe aktorët. Secili kërkonte fjalët e duhura për të shprehur përjetimet personale dhe emocionet.
 
Përtej emocioneve të shfaqjes
 
Regjisori Armand Bora në rrethanat dramatike ka qenë plotësisht në përputhje me stilin e Brecht-it, stilin e një teatri epik. Rrethana plotësisht të qarta, pa asnjë teprim, pa skena artificiale. Madje regjisori “ka pastruar rrugën” përmes një dialogu intensiv, batutave plot metafora satirike, që publiku ta zhbirojë rrethin vicioz të korrupsionit. Sipas Borës “Historia e gangsterëve nuk përbën më kuriozitet! Kurioziteti është të kuptojmë se ku gabon shoqëria që ua lehtëson karrierën gangsterëve si Arturo Ui!”.

Ai pati kurajo edhe për eskperimentuar me artet bashkëkohore në skenë, por duke i qnëdruar besnik Brecht-it, ndërsa elementët e rinj i ka vënë në funksion të rrethanave teatrale plot lëvizje dhe gjallëri. Kjo risi duket se i është dedikuar publikut, që “joshet” prej saj. Ndërsa pjesa e intrigës plotësohet më së miri nga loja e aktorëve.

Rritja e pushtetit të Arturo Ui-së luhet nga Alfred Trebicka në rrethana intime, miqësore, ku vjen e bëhet gjithnjë e më dramatik e intrigues mes luhatjeve të dëshpërimit dhe entuziazmit që shpreh. Një rritje që vjen e natyrshme e këtij lloji pushteti, rrënjët e të cilit janë mbjellë tek korrupsioni dhe manipulimet e para me drejtësinë.

Çdo ngjitje në pushtet bëhet duke u qartësuar me rrethanat paralele në skenë. Mizaskenat, muzika live, karateja, krismat që vibrojnë pothuajse në një mënyrë shumë të shpejtë në kujtesë, të dretojnë vëmendjen tek lufta epike për marrjen e pushtetit nga Arturo Ui. Gjetje interesante të regjisorit Armand Bora. Bertolt Brecht

e ka bërë shfaqjen me vetëdije të plotë si një alegori satirike për Adolf Hitlerin kur vendosi pushtetin në Gjermaninë naziste. Të gjitha personazhet dhe grupet shoqërore në lojë kanë pasur përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë në jetën e vërtetë.

Ndërsa Bora e ka zhvendosur vëmendjen tek Arturoja se ideja për pushtet nuk bëhet për vendin e njëshit. “Vendin e njëshit, diktatori e krijon si një vend absolut që nuk synohet në sistemet diktatoriale, por pritet pasardhësi, kush do të jetë”, thotë ai. Në premierën “Arturio Ui” të Aramnd Borës, lidhja me realitetin shqiptar shfaqet e plotë: gjykata dhe vendime gjyqësore që merren nën trysninë e kërcënimit dhe presionit nga bota e krimit.

Eleminime fizike brenda klanesh ekonomike dhe politike. Këto në fakt janë ato që ndodhin në skenat e ndryshme të veprës së Brehtit, por për koicidensë, i paskan kujtuar gjithësecilit histori dhe personazhe reale. Edhe përmes një teatri, jo vetëm shoqërisë shqiptare por të gjitha shoqërive të korruptuara është e rëndësishme që t’u vihen në dukje disa rreziqe... Më në fund, mesazhi që deshi të përçojë regjisori është kuptuar nga spektatorët, ku përveç Alfred Trebickës, një kontribut të madh në këtë premierë ka dhënë edhe aktorja Rozi Kostani, mishëruesja e pasardhësit intrigant të diktatorit, që luan rolin e Xhivolas.

Kostani e bëri publikun që të marrë mesazhin në mënyrë shumë të qartë. Suela Konjari me rolin e Borit e pastaj Batçërit i plotësonte më së miri situatat dhe intrigat skenike, po ashtu edhe aktorja e re Armela Demaj që luante Klarkun. Ndërsa Violeta Trebicka, duke marrë përsipër tri role, kapërcente me zhdërvjelltësi nga një rol në tjetrin duke i dhënë një fytyrë të plotë korrupsionit në shoqëri.
 
Mbresat e shfaqjes
“M’u duk “situatë” e njohur me ngjarjet e fundit të realitetit tonë politik, sidomos! Unë kam lindur ne vitin '91, kur sapo në Shqipëri ndryshoi sistemi dhe Shqipëria u kthye në demokraci, ku të mbizotëronte e drejta vendimmarrëse dhe e lirisë së fjalës së individit dhe ku gjithsecili të ishte i mbrojtur e i sigurt në vendin e tij, por për fat të keq jetojmë në vitin 2015 dhe sapo hap televizorin flitet për vrasës politikë, për dëshmitarë të kërcënuar në mos të vrarë, për “drejtësinë”,për “parti në të mirë të zgjedhësve”, për “një jetë më të mirë”, për “një udhëheqës brilant”, shkruan një spektator.

Ndërsa një tjetër spektator shprehet se: “Arturo Ui-në, e njoh dhe unë! E shoh, e dëgjoj, e votoj...mbase nuk këndon "New york, New york"...ama ne të gjithë e dimë që çizmja e njerëzve të tij, 7 a 30 vetë qofshin ata...ende përplaset zhurmshëm mbi tavolinën e gjykatësve tanë! Urime regjisorit dhe veçanërisht aktoreve femra në rolin e burrave! Mesazh gjenial.”…

Dhe nëse publiku e vlerëson në këtë mënyrë premierën, do të thotë se regjisori ka qëllur në shenjë. Më 11 dhe 12 Prill 2015, vepra e Brechti-t, “Arturo Ui”, falë talentit të regjisorit “të urtë”, Armand Bora, siç e vlerëson publiku, e arriti suksesin. Krijues kanë qenë gjatë interpretimeve edhe vetë aktorët: Alfred Trebicka (Arturo Ui); Suela Konjari (Gori e Batçëri); Rozi Kostani (Xhivola e Flejk); Violeta Trebicka (Roma, Mëllberi e Avokati); Armela Demaj (Klarku, Dejzi, Aktori) si dhe në rolet e tjera Kastriot Ramollari, Bruna Borova, Laura Nezha, Çlirim Demaj, Shyqyri Caushaj, Erin Sander.

Arturo Ui me regji të Armand Borës është nga të rallat shfaqje mbresëlënëse të këtij sezoni artistik në kryeqytet. Personazhet me universalizmin e tyre mund të përputhen me çdo realitet diktatorial të botës. Nën maskën e personazhit të luajtur nga Alfred Trebicka, përsa i përket realitetit shqiptar, edhe unë e njoha Arturo Ui-në, siç e njoha edhe Xhivolan, të luajtur mjeshtërisht nga Rozi Kostani...


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia