Arvanitasit, dokumenti grek i
1881: Janë këtu prej 10 shekujsh

Arvanitasit, dokumenti grek i <br />1881: Janë këtu prej 10 shekujsh
TIRANE - Suplementi Rilindasi publikon një dokument të ministrit të jashtëm të Greqisë, Kumundero, të vitit 1881, dërguar Mbretërisë gjermane për ndihmë, ndër të tjera, thuhet se "edhe pas pesëdhjetë vitesh të shtetit të pavarur grek, një pjesë e madhe e popullsisë në More, që është shumë e njësishme etnikisht, nuk heq dorë prej qënësisë së saj shqiptare"

Influenca e nacionalizmit kulturor në marrëdheniet greko-shqiptare është shfaqur që në fillimet e shfaqjes së nacionalizmit në rajon. Duke jetuar për një kohë të gjatë nën çatitë e dy perandorive, asaj bizantine dhe otomane, afërsia territoriale si dhe ndarja e disa vlerave të përbashkëta si ajo e një besimi të njëjtë fetar midis popullsisë greke dhe një pjese të popullsisë shqiptare kanë krijuar premisat që grupe të ndryshme popullsie të identifikohen ose të përzgjellin kombin në të cilin dëshirojnë që të jenë anëtarë. Zakonisht kur flitet për këtë aspekt në studimet shqiptare apo dhe të huaja nënvizohet dhe merret në shqyrtim fakti se ka pasur një asimilim më të madh të popullsisë shqiptare në atë greke sesa anasjelltas, gjë që sipas dhe të dhënave tingëllon si fakt i vërtetë, por nuk përjashtohet rasti që dhe periudha të ndryshme kohore të ketë ndodhur procesi i kundërt si p.sh gjatë qeverisjes së Ali Pasha Tepelenës ku shumë zakone, fjalë dhe veshje shqiptare (fustanella) u adaptuan gjerësisht nga popullsia greke e për rrjedhojë mund të ketë pasur popullsi greke që u konvertuan në shqiptare. Me këtë konstatim dëshiroj të nënvizoj faktin se asnjë etni apo grup popullate sado që të ketë shumë të fortë disa komponentë të identitetit përcaktues nuk është e imunizuar nga influenca e përzgjedhjes së kombësisë.

Në rastin e marrëdhenieve greko-shqiptare dhe anasjelltas duket se krijimi i shtetit kombëtar grek pothuajse një shekull më parë, influencoi në krijimin e një nacionalizmi etnik si pasojë e kontributit të zhvillimeve kulturore. Themelimi i shtetit kombëtar grek solli si rezultat dhe themelimin e një rrjeti arsimor të mirëorganizuar, shtypi kombëtar dhe kulture kombëtare të shtrirë gjithandej nëpër territorin e shtetit kombëtar. Pra, nga prania dhe forca e një sistemi arsimor të kontrolluar nga shteti, e një sistemi të mjeteve të informimit masiv të kontrolluar nga shteti dhe e organizatave kulturore që mbështesin gjuhën e një rajoni të veçantë dhe artet....si një kulturë e veçantë e kombit u përforcua më tepër nacionalizmi etnik. Për shkak të sistemit perandorak otoman të mileteve, ku popullsia e krishterë ortodokse në Ballkan konsiderohej si "Rum"(greke) dhe privilegjeve të fituara që herët nëpërmjet Patriakanës së Stambollit, ky rrjet shkollash dhe edukimi në gjuhën greke ishte i përhapur dhe në territoret shqiptare me popullsi ortodokse, ku në rajone të veçanta si Himara vazhduan të funksionojnë edhe 20 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Mirëpo nëse para themelimit të shtetit kombëtar grek ato kishin një karakter universalist dhe i shërbyen popullsisë lokale për arsimim dhe edukim, përfshi këtu dhe popullsinë myslimane shqiptare, pas themelimit të shtetit kombëtar grek ato fituan karakterin partikularist të nacionalizmit grek dhe filluan të shërbejnë si fidanishte të Helenizmit. Si qendra të tilla, në momentin kur u shfaq nacionalizmi shqiptar ishte e kuptueshme që do të hynin në konflikt nacionalist me shkollat dhe edukimin shqip që shprehte sa karakterin e përplasjeve greko-shqiptare për krahinën e diskutueshme të Epirit por dhe rolin që luante arsimimi dhe kultura kombëtare në zgjedhjen e kombësisë.

Një pjesë e madhe e studiuesve kur studiojnë nacionalizmin grek bien dakort se në krijimin e kombit grek një rol të madh ka luajtur "dëshira" sesa përkatësia etnike sipas modelit që ka përkufizuar Renan, ndaj dhe kjo trashëgimi politike e krijimit të kombit grek ka pasur një peshë specifike në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare dhe anasjelltas. Ndërsa në fillimet e tij shteti grek arriti që të "asimilonte" sipas këtij koncepti grupin e madh etnik shqipfolës në Greqi , të njohur si arvanitas apo dhe një popullsi tjetër shqiptare si suliotët që ishin brenda territoreve otomane dhe shumë afër atyre shqiptare, duke i bërë pjesë përbërëse të kombit grek, pretendimet vazhduan dhe për popullsinë ortodokse në thellësi të territoreve shqiptare duke mos marrë parasysh aspak kriterin etnik. E gjithë kjo luftë e heshtur dhe e ashpër nacionalizmash nën çatinë e Perandorisë Otomane la një shije të hidhur kur u krijua shteti kombëtar shqiptar dhe u përcaktuan kufijntë e rinj të tij pasi propaganda greke dhe nacionalizmi grek ia kish arritur qëllimit që të paraqiste para faktorit ndërkombëtar një realitet krejt ndryshe nga sa ishte ai i vërteti etnik. Sigurisht që kjo mospërputhje midis realitetit etnik dhe "dëshirës"për të zgjedhur krijoi një konflikt të hapur nacionalist në Epir, influenca e të cilit në formë spirale është ndjerë vazhdimisht në marrëdheniet greko-shqiptare. Mirëpo përpara se shteti kombëtar grek të fillonte të kishte pretendime territoriale drejt territoreve shqiptare, i ishte dashur që të neutralizonte dhe të asimilonte grupin e madh etnik të arvanitasve që shtriheshin në disa nga rajonet qendrore dhe më kryesore të mbretërisë greke. Në një dokument të ministrit të jashtëm të Greqisë, Kumundero, të vitit 1881, dërguar Mbretërisë gjermane për ndihmë, ndër të tjera, thuhet se "edhe pas pesëdhjetë vitesh të shtetit të pavarur grek, një pjesë e madhe e popullsisë në More, që është shumë e njësishme etnikisht, nuk heq dorë prej qënësisë së saj shqiptare". Më tej ai vëren se "edhe në vetë Athinën, ashtu si në More (Peloponez), mbi 70 mijë vetë flasin vetëm gjuhën shqipe, pa ditur asnjë fjalë greqisht", duke pohuar më tej se "është fjala për një etnicitet homogjen që i tillë njihet sëpaku për dhjetë shekuj në këtë hapësirë të lartpërmendur". Për më tepër edhe pse elitat arvanitase ishin inkorporuar në sferat më të larta të shtetit kombëtar grek, sërish në momente decizive të vendosjes së aleancave politike në Ballkan, këto elita bashkëpunimin e kërkonin me popullsinë shqiptare ndaj të cilës ndiheshin shumë afër etnikisht si ishte rasti i vitit 1899 ku Greqia fill pashumbjes në luftën Greko-Turke të vitit 1897 kërkonte të vendoste aleanca të fuqishme në rajon. Në vitin 1899, revista greke "Helenizmi" boton një shpallje të nënshkruar nga zotërinjtë: Shehu, Boçari e Xhavella, ku ndër të tjera shkruhej "Në luftën e 1821 që bëri Greqia kundër Turqisë luftoi dhe raca jonë, raca shqiptare, dhe me ndihmën tonë u çlirua edhe Greqia. Midis kaq heronjve kujtojmë edhe ata të Hidrës, Species dhe Kranidhit. Heronjtë më të shumtë të steresë ishin shqiptarët e Sulit të Himarës, të Athinës, Tebës, Livadhjasë, Korintit, dhe nga shumë vende të Moresë që flasin edhe sot shqip. Përveç shqiptarëve të krishterë, ishin edhe 3500 shqiptarë muslimanë që luftonin bashkë me grekët kundër turqve... S'kemi për të thënë ndonjë gënjeshtër, vëllezër, po të pohojmë se shqiptarët e çliruan Greqinë".

Gjithësesi pavarësisht këtyre fakteve shumë domethënës të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, influenca e nacionalizmit etnik grek dhe një tradite bashkëjetese prej mëse 170 vjetësh në shtetin kombëtar grek ku elementi arvanitas kish hyrë në një proces asimilimi nuk mund të bënte të mundur që këto demonstrime të ishin të një përmase të madhe. Në ditët e sotme problemi dhe statusi i popullsisë arvanitase në Greqi vazhdon të jetë i mjegullt dhe disa ngjarje kulturore që kanë ndodhur brenda komunitetit arvanitas mund të konsiderohen si ngjarje që ringjallën një çështje të harruar dhe që nën tendencat unifikuese të Globalizmit kishte tendenca për tu harruar. Një nga veprimtarët më të rëndësishëm të ringjalljes kulturore arvanitase gjatë viteve 1980-2000 është studiuesi, avokati dhe publicisti Aristidh Kolia i cili në librin e vet "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve" i bëri jehonë sërish mitit pellazg të origjinës së përbashkët greko-shqiptare që nga lashtësia dhe ripohonte me krenari se 90 nga 100 heronj të Kryengritjes janë arbër, por kjo jo vetëm që nuk përmendet nga historianët tanë, por bëhet përpjekje të fshihet ky fakt dhe nga na tjetër të përdëllehet i gjithë populli arbëror. Gjithësesi pavarësisht kësaj ringjallje kulturore duhet pranuar fakti se popullsia arvanitase në Greqi edhe pse për një kohë shumë të gjatë kish ruajtur një identitet të fortë gjuhësor të veçantë të dëshmuar edhe nga udhëtarë të shumtë të huaj që vizituan territoret greke në 50 vjeçarin e parë të shekullit të XIX, madje dhe në hapat e para të zgjimit kombëtar të shqiptarëve kishte pasur aktivistë të shquar që kishin marrë pjesë në lëvizjen nacionaliste shqiptare si Anastas Kullurioti, në vitet 90-të paraqitej me me një ndërgjegje helenike si rezultat i shumë proceseve asimilues që kishin ndodhur një shekull e gjysëm më parë që me themelimin e mbretërisë së re greke. Këto procese asimiluese ishin bazuar në ato karekteristika që kishin ndihmuar për të themeluar kombin grek si identiteti fetar, urbanizimi i menjëhershëm që hyri mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër e përqendruar. Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t'i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një "helen i vërtetë".

 (Majtas)
(Foto: (Majtas) "Largimi banorëve të Pargës" tablo e Francesco Hayez (Lart) "Suljoti në pritë ", tablo e Henri Decaisne dhe Marko Boçari)


Pikërisht ky dyzim kulturor kish influencuar më tepër helenizmin por i kish dhënë jetë dhe një literature të tërë në greqisht të shkruar nga nga anëtarë të shquar të kësaj popullsie për origjinën e përbashkët të kombeve grek dhe shqiptar si dhe përpjekjeve për të krijuar një monarki të përbashkët greko-shqiptare. Nën procesin e vazhdueshëm të helenizmit të nxitur dhe nga shteti kombëtar grek, përpjekja për të shkruar dialektin e tyre shqip u minimalizua deri sa në në vitet 80-të të shekullit të XX kemi një rigjallërim të këtyre përpjekjeve me botimin e revistës "Besa", ku në të 34 numrat e saj përveçse artikujve shkencorë rreth kulturës arvanitase në greqisht u botuan dhe artikuj në gjuhën shqip por me alfabetin grek. Që prej viteve 1980-te, ka patur nje krijim te shoqerive kulturore arvanitase edhe botimeve te nje reviste edhe disa librave mbi kulturen arvanitase (megjithese shume pak te botuara ne ate gjuhe). Ne disa zona, Ungjilli i Pashkeve lexohet ne Arvanitika (Gerou, 1994a). Ndoshta ndermarrja me domethenese - per publikun e gjere - eshte nxjerrja e CD - me nje librushke te bashkangjitur shpjegimi - Arvanitic Songs (FM Records, 1994) .

Emigrimi masiv i shqiptarëve të pas viteve 90-të në Greqi përveçse pati efekte të rëndësishme në ekonominë greke dhe shqiptare, në aspektin kulturor pati një ndikim të tërthortë që u demonstrua në një rigjallërim të gjuhës shqipe në zonat rurale ku banon popullsia arvanitase. Sipas përllogaritjeve të një autori grek V.Rafalaidhis, kjo popullsi rezulton të jetë rreth 3.000.000 në shtetin e sotëm grek. , numër që tingëllon i ekzagjeruar pasi mund tu korrespondojë atyre që kanë origjinë arvanite dhe jo atyre që kanë ndërgjegje dhe deklarohen si arvanitas. Nuk ka patur ndonjë statistike zyrtare mbi te si edhe me çdo minoritet tjetër ne Greqi, qe prej 1951 (ndërsa statistikat e mëparshme konsiderohen si te pabazuara, duke reflektuar më shumë ata me një ndergjegje të fortë etnike). Sot, vlerësimi më i mirë mbi ata që flasin gjuhën edhe që kanë një ndërgjegje të fortë arvanite arrin në numrin përreth 200.000 vetëve. Trudgill (1983:128) i vlerëson në 140.000 folësit në Atika edhe Boetia, një numër i përmendur po ashtu nga Hill (1900:135). Për arvanitasit në veri-perëndim, një shifer prej 30.000 është dhënë prej Ciampi-t (1985:87), i cili po ashtu e ve numrin për grupin në total tek 156.000-201.000 vetë. Disa pjesëtarë të komunitetit, japin shifra shumë më të mëdha, tek rreth 1.600.000 (Kormos, 1994:1 ; edhe Gerou, 1994b:2). Kjo shifër mund ti korrenspondojë të gjithë grekëve që kanë paksa origjina arvanitase, por sigurisht jo folësve të tanishëm edhe atyre me ndërgjegje të ngjashme. Sikurse me të gjitha gjuhët e tjera minoritare, përveç turqishtes, Arvanitika nuk ka status ligjor ne Greqi edhe nuk mësohet në asnjë nivel të sistemit arsimor.

Në këto kushte ka qenë shumë e vështirë influencimi i një nacionalizmi kulturor me tendenca shqiptare nga ana tyre pasi zhvillimet politike në Shqipëri kanë qenë më të vonshme sesa në Greqi. Madje në rastin e tyre mund të flitet për ringjalljen e një teze të hershme dhe romantike të nacionalizmit etnik shqiptar që i kërkonte rrënjët e veta në origjinën e përbashkët pellazgjike me popullsinë greke. Një sërë librash të shkruar nga elita e këtij komuniteti vital në Greqi si "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve" e Aristidh Kolisë apo "Arvanitasit-fiset e reja doriane të Helenizmit të ri" të Kosta Birit e shtjellojnë më tepër këtë tezë, duke e bërë dominante në ligjërimin e sotëm arvanit. Mirëpo, brenda këtij ligjërimi historik e kulturor shpesh herë shtjellohet dhe nuanca krenarie për numrin e madh të udhëheqësve të Revolucionit Grek nga gjiri i kësaj popullsie, afërsia dhe ndihmesa e shqiptarëve në këtë Revolucion si dhe përforcimi i disa karakteristikave të veçanta të popullsisë arvanitase si trimëria, besa e sakrifica për atdheun. Të gjitha këto tipare identitare kanë krijuar premisat për të pasur herë pas here shfaqje të një nacionalizmi të zbehtë kulturor që u vu re nga përfaqësues të shquar të këtij komuniteti si Aristidh Kolija, Taqi Mihas etj gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Ish-Jugosllavi ku në emisione të ndryshme televizive dhe artikuj në gazetat më të mëdha greke mbrojtën çështjen shqiptare përkundrejt mendimit nacionalist grek që e denigronte, argumentuan se përse Greqia nuk duhet të ishte aleate me Serbinë, aleancë për të cilën qarqet nacionaliste greke bërtisnin se është e "shenjtë" si dhe pohuan afërsinë e tyre etnike shqiptare. Zhvillimi i këtij nacionalizmi të zbehtë kulturor që ngjalli dhe acarim në qarqet nacionaliste greke, i përngjan tipit të zhvillimit të nacionalizmit që përqafohet nga një grup intelektualësh që tregojnë interes për gjuhën e popullit dhe folklorin duke pohuar veçantinë dhe afërsinë me një komb tjetër fqinj, gjë që krijon premisa që dalë nga dalë në të ardhmen dhe nën dritën e zhvillimeve të ndryshme politike në rajon mund të kalojë në hapa të tjerë më të rëndësishëm që mund të kompromentojë ndërtimin e kombit grek dhe shqiptar në rajon. Ky rigjallërim linguistik, kulturor për momentin nuk është shoqëruar me një rigjallërim të identitetit etnik të veçantë nga ai grek, por lë të gjitha premisat e hapura sidomos në kuadër dhe të rritjes së nacionalizmi shqiptar apo dhe efekteve të krizës ekonomike që ka kapluar Greqinë. A do të rikthehet Moreja dhe rrethinat e Atikës, Tebës, ishullit Eubea, Hidra e Speca trungut të vet etno gjuhësor nga i cili është shkëputur për më tepër se një shekull si pasojë e presionit të fortë asimilues të shtetit kombëtar grek? Përgjigjia e kësaj pyetje sigurisht që do të përbente një nga kuriozitetet më të mëdha nëse nacionalizmi kulturor shqiptar do të bënte të mundur që të influenconte në rrjedhën identitare të një popullsie thellësisht të asimiluar si janë arvanitasit dhe sigurisht në këtë rast do të përbënte një rast sui generis në rajon.

*Studiues
Bibliografi
Libra:
1- Claire.N (2009). Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Tiranë: Përpjekja
2- Hyskaj).T.E (2008). Sfidat e nacionalizmit. Rasti i Ballkanit. Tiranë: "Progres"
3- Koçollari .I (1994) Arvanitët. Tiranë: Albin
4- Kolia.A (2008) Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena

Internet:
1- Greqia që flet shqip në: http://ëëë.zeriyt.com/greqia-qe-flet-shqip-t348.0.html
2- GHM (=Greek Helsinki Monitor) (1995): "Report: The Arvanites" në: http://ëëë.forumishqiptar.com/shoëthread.php?t=12198

Suplementi Rilindasi

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë