SHKODER - Për afro 40 minuta Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një takim kokë me kokë me Sekretarin e Përgjithshëm të Frymës së Re Demokratike Gazmend Oketa. Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së dhe kreu i Diplomacisë amerikane janë takuar në “Grand Hotel Europa” rreth orës 14-00 deri në orën 14-38 minuta.

Mësohet se gjatë këtij takimi është biseduar kryesisht për zhvillimet politike në vend dhe pozicionin e FRD-së në këtë situatë, përgatitjet e FRD-së për zgjedhjet e 23 Qershorit si dhe krijimin e një poli të tretë në këto zgjedhje.

Burime nga ky takim bëjnë të ditur se Oketa dhe Arvizu kanë komentuar edhe rreth koalicionit të LSI- së me Partinë Socialiste ndërsa situatën aktuale pas këtij koalicioni, Oketa e ka cilësuar si dështim të moralit të politikës.

Ndërkohë Oketa ka theksuar se “23 Qershori do të jetë test i moralit të shoqërisë shqiptare, ndërsa shqiptarët do të ndëshkojnë me votë të pamoralshmit.” Gjithashtu Oketa i ka shprehur ambasadorit Arvizu se FRD- ja është forcë e re dhe do të testohet në këto zgjedhje ndërsa nuk do të bëjë asnjë koalicion me partitë e vjetra që prej 20 vitesh po qeverisin vendin, sipas Oketës prioritet i kësaj force politike mbetet elektorati gri i cili prej vitesh ka abstenuar duke mos marrë pjesë në votime.

Ambasadori Amerikan ka deklaruar se është duke e ndjekur me vëmendje situatën politike në vendin tonë. Takimi u zhvillua pas debatit televiziv që organizoi ambasada amerikane midis politikanëve të rinj shqiptarë në qytetin e Shkodrës. Pas këtij takimi Oketa është takuar edhe me kryesinë e FRD- së në Shkodër ku ka shprehur bindjen se për drejtuesit e kësaj force politike qyteti i Shkodrës është një prioritet dhe në zgjedhjet e 23 Qershorit do të synohet marrja e një mandati edhe në këtë qark.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)