TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur në një takim ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Pas takimit, dy bashkëbiseduesit folën për median, ku Arvizu e ka vlerësuar shumë rolin e Metës në krye të parlamentit, si rol konstruktiv. Nga ana e tij, kreu i Kuvendit, Meta ka vlerësuar editorialin e dy ambasadorvë, duke u shprehur se, vullneti i mazhorancës është që të përfshijë procesin e integrimit edhe opozitën. Ambasadori amerikan, ka vlerësuar edhe përparimin që po bën Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit.
 
META: PO, SHQIPËRIA MUNDET
Duke folur pas takimit me ambasadorin Arvizu, kryeparlamentari Ilir Meta deklaroi se, “lexova editorialin e përbashkët të dy ambasdadorëve. Bashkohem me titullin e këtij editoriali, që Shqipëria mundet të arrijë progresin që meriton sepse kemi mbështetjen dhe mundemi të realizojmë një bashkëpunim më të frytshëm”.

“Vullneti ynë është maksimal që opozita të përfshihet në gjithë këtë proces dhe reforma esenciale. E kam theksuar e theksova dhe me arvizu. Shpresoj që PD të kontribuojë për të pasuruar më tej kontributet e saj pozitive duke qenë konstruktive dhe duke i qëndruar angazhimeve se do të mbështesë cdo nismë që ndimon integrimin”, tha në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta
 
ARVIZU: GJËRAT PO FUNKSIONOJNË
 “Përparimi që bëhet është një nga matjet më të mira për rrugëtimin e Shqipërisë. Aktualisht gjërat funksionojnë ashtu siç duhet të fuksionojnë dhe duhet të thuhet për Shqipërinë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare është duke parë se parlamenti mund të funksionojë në mënyrë normale”, tha Arvizu.
 
Gjithashtu ambasadori nuk ka lënë pa theksuar edhe faktin se, “kjo nuk do të thotë që të mos ketë debate të zjarrta, por është e rëndësishme që këto debate të jenë konstruktive dhe të çojnë përpara vendin”. “Ju uroj dhe pres me kënaqësi bashkëpunimin me parlamentin”, tha në fjalën e tij pas takimit me kryeparlamentarin, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)