TIRANE - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu nga Prokuroria e Përgjithshme dha sot paradite një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeprokurorin Adriatik Llalla me temë Lufta Kundër Korrupsioni Gjyqësor dhe Politik.

Duke theksuar se tashmë është koha e duhur për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, ambasadori tha se shpreson në vënien e sa më shumë personave para drejtësisë dhe arrestimin e tyre për veprat kriminale të kryera.

“Shpresojmë që në vijim të shohim më shumë arrestime, më shumë të dënuar. Duhet të bindim kështu popullin shqiptar që kundrejt të këqijave do të ketë drejtësi”, theksoi ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Ambasadori vlerësoi punën e kryeprokurorit në funksionin e tij të mëparshëm në ILDKP, por theksoi se posti që përfaqëson tani është mjaft i vështirë.

“Llalla është në detyrë për një periudhë shumë të shkurtër, dëshiroj ta falënderoj për kontributin e deritanishëm. Kur e takova për herë të parë i thash kam një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është së ndejmë sikur njihemi për një kohë të gjatë për shkak të punës që ju keni bërë në ILDKP, lajmi i keq është që ju po futeni në një pozicion shumë të vështirë”, deklaroi Arvizu.

Ndërsa prokurori i përgjithshëm vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në luftën ndaj korrupsionit duke kërkuar nga njësia task forcë në prokurorinë e Tiranës më shumë vendosmëri për të luftuar krimin e në veçanti krimin ekonomik.

Zyrat e task forcës në organin e akuzës shqiptare prej vitit 2009 mbështeten në projektin për luftën e korrupsionit në gjyqësorë dhe politik nga homologët e tyre të zyrës së OPDAT me financim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)