ELBASAN-  Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu ka qenë i hapur dhe i qartë sot nga Elbasani kur kritikoi punën e qeverisë Berisha për parandalimin e trafikut të qënieve njerëzore.

"Ndonëse ka pasur njëfarë përparimi, për fat të keq, vlerësimi ynë ishte që gjatë vitit të kaluar, performanca e qeverisë shqiptare në trajtimin e trafikimit pësoi rënie. Rezultati praktik i kësaj ishte që Shqipëria u ul në vlerësim dhe ra në atë që e quajmë Lista e Vëzhgimit e Grupit 2,"- tha Arvizu pas një tryeze të rrumbullakët me kryetarin e bashkisë  Qazim Sejdini dhe përfaqësues të IOM-it dhe shoqatave në luftën kundër trafikut."

Arvizu ka garantuar se parandalimi i trafikimit do të jetë një nga pikat kryesore të bashkëpunimit të SHBA-së me qeverinë e re shqiptare. 

"Në bisedat tona me z. Rama, me z. Meta dhe me disa prej bashkëpunëtorëve tyre kryesorë kemi bërë shumë të qartë që shpresojmë të angazhohemi shpejt dhe efektshëm me qeverinë e re në përpjekje për të gjallëruar disa prej përpjekjeve që kanë qenë në proces," - shtoi ai, duke nënvizuar se qeveria amerikane do të mbështesë qeverinë e re në vendosjen e një bashkëpunimi të fortë polici-prokurori, që nuk ekziston:

"Trafikimi është një krim i tmerrshëm dhe një problem shumë i rëndësishëm, por ka edhe çështje të tjera, si korrupsioni, që duhen trajtuar në Shqipëri. Ligjet ekzistojnë dhe janë mjaft të mira. Ka njerëz shumë të përkushtuar në radhët e policisë që e kuptojnë ligjin dhe po përpiqen të bëjnë punën e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prokurorët.
Problemi është që nuk punojnë bashkë. Në fakt, hera-herës, më krijohet përshtypja se përpiqen që të mos punojnë bashkë. Kjo do të jetë një përparësi për Qeverinë e SHBA teksa ecim përpara me administratën e re këtu.

U kënaqa kur pashë që Presidenti organizoi një takim me të ashtuquajturit institucione të pavarura dhe qartazi, guri i themelit të demokracisë është kur institucionet të mund të veprojnë të pavarura. Por mesazhi që duhet të përcillet është që policia dhe prokurorët duhet të punojnë së bashku pasi performanca juaj matet në fakt me se sa mirë ju do të punoni së bashku. Për këtë arsye ka nevojë që të ketë arrestime më të sukseshme, ndjekje penale, gjithashtu edhe dënime të fajtorëve. Qofshin këto çështje korruptive, raste të pandëshkueshmërisë ose raste kriminale që meritojnë të ndëshkohen. Kjo është ajo që qytetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe kjo është ajo që ata meritojnë,”- përfundoi Arvizu. 

Takimi i sotshëm në Elbasan u realizua në kuadër të një projekti të financuar nga Departamenti Amerikan nën kujdesin e ambasadorit amerikan. Organizata IOM ka marrë një grant prej 500 mijë dollarësh nga Departamenti i Shtetit me qëllim përmirësimin e aftësimit të qeverisë së SHBA në parandalimin e trafimimit të njerëzve.

FJALA E PLOTE E AMBASADORIT AMERIKAN ARVIZU
 
"Falënderoj Kryetarin e Bashkisë për thirrjen e kësaj tryeze të rrumbullakët. Trafikimi i personave është një krim i tmerrshëm. Ekziston kudo në botë – ekziston në Shtetet e Bashkuara dhe ekziston në Shqipëri. Disa prej jush janë në dijeni të Raportit vjetor për Trafikimin e Personave. Përgatitet çdo vit nga Departamenti i Shtetit dhe është i mandatuar nga Kongresi. Ndonëse ka pasur njëfarë përparimi, për fat të keq, vlerësimi ynë ishte që gjatë vitit të kaluar, performanca e qeverisë shqiptare në trajtimin e trafikimit pësoi rënie. Rezultati praktik i kësaj ishte që Shqipëria u ul në vlerësim dhe ra në atë që e quajmë Lista e Vëzhgimit e Grupit 2.
 
Në bisedat tona me z. Rama, me z. Meta, me disa prej bashkëpunëtorëve tyre kryesorë, kemi bërë shumë të qartë që shpresojmë të angazhohemi shpejt dhe efektshëm me qeverinë e re në përpjekje për të gjallëruar disa prej përpjekjeve që kanë qenë në proces.
 
Një shembull specifik i asaj që po përpiqemi të bëjmë është me IOM; jam i kënaqur që IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migracionin – ka fituar një grant prej 500,000 dollarësh nga Qeveria e SHBA, për të punuar kundër trafikimit në Shqipëri. Specifikisht, çfarë do të bëjnë ata? Siç e dini, IOM është një organizatë ndërkombëtare; shpesh i referohet si OJQ, por nuk është OJQ. Është në fakt një organizatë ndërkombëtare e lidhur me Kombet e Bashkuara.

Për ta trajtuar efektshëm një çështje si kjo, duhet të ketë bashkëpunim midis OJQ-ve, organizatave ndërkombëtare, qeverive vendore, qeverive qendrore, policisë, prokurorisë – të gjithë duhet të punojnë sëbashkur me qëllim që të jenë të efektshëm. Një gjë që po bën IOM është krijimi in ekipeve të lëvizshme të ndihmës që do të jenë në gjendje t’i përgjigjen më shpejt dhe më efektshëm raportimeve për persona në rrezik. Është ai lloj shembulli i një partneriteti shumë të efektshëm në nivel vendor këtu në Elbasan dhe dëshiroj të falenderoj të gjithë njerëzit që morën pjesë në tryezën e rrumbullakët nën drejtimin e Bashkisë. 
 
Për sa na përket neve, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të krijojmë partneritete me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur dhe jo vetëm në fushën e trafikimit. Trafikimi është një krim i tmerrshëm dhe një problem shumë i rëndësishëm, por ka edhe çështje të tjera, si korrupsioni, që duhen trajtuar në Shqipëri. Ligjet ekzistojnë dhe janë mjaft të mira. Ka njerëz shumë të përkushtuar në radhët e policisë që e kuptojnë ligjin dhe po përpiqen të bëjnë punën e tyre.
 
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prokurorët. Problemi është që nuk punojnë bashkë. Në fakt, hera-herës, më krijohet përshtypja se përpiqen që të mos punojnë bashkë. Kjo do të jetë një përparësi për Qeverinë e SHBA teksa ecim përpara me administratën e re këtu. Ishte kënaqësi që pashë që Presidenti zhvilloi një takim dje me krerët e të ashtuquajturave institucione të pavarura dhe është e qartë që një prej gurëve të themelit të një demokracie është që institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe ne e mbështetim këtë plotësisht.
 
Por, mesazhi duhet të shkojë edhe tek, në fakt, mesazhi më i rëndësishëm duhet të shkojë tek policia dhe prokurorët për të punuar sëbashku. Performanca juaj do të gjykohet nga efektshëm punoni ju sëbashku. Duhet të ketë më shumë arrestime, ndjekje penale, dhe dënime të suksesshme për krimet, qofshin për korrupsion, raste mosndëshkueshmërie, apo kriminelë ordinerë; duhet të ketë më shumë bashkëpunim të efektshëm. Kjo është ajo që qyetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe kjo është ajo që ata meritojnë. Ju faleminderit shumë."

 Redaksia online
(sg/ar.sh/shqiptarja.com)