Arvizu takon Topin 1 ditë pas
urdhërarresteve për 21 janarin

Arvizu takon Topin 1 ditë pas<br />urdhërarresteve për 21 janarin
TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndodhet në presidencë për të zhvilluar një takim me kreun e shtetit Bamir Topi.

Arvizu është parë të hyjë rreth orës 10.00 në ambientet e presidencës. Takimi vjen një ditë pasi prokuroria firmosi urdhërarrestet për ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, shoferit e tij Margarit Kume dhe specialistit të IT-së Armando Kasaj, në lidhje me hetimet e 4 vrasjeve më 21 janar.

Sipas një njoftimi të presidencës të shpërndarë rreth orës 12: 00 mes zotit Topi dhe ambasadorit Arvizu është zhvilluar një takim pune. Ata kanë
shkëmbyer mendime lidhur me disa prej çështjeve më aktuale politike në vend, tek të cilat është përqendruar dhe debati publik i kohëve të fundit.

“Pavarësia dhe mirëfunksionimi i institucioneve të pavarura kushtetuese reforma në drejtësi, ligjet e nevojshme që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament, miratimi i Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, me të cilat pritet përballja gjatë vitit 2012 si dhe situata në rajonin e Ballkanit ishin disa nga çështjet e diskutuara në këtë takim pune.”- thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu nënvizuan rëndësinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha forcave dhe aktorëve politikë në vend, të bazuar në gatishmërinë, mirëkuptimin dhe vullnetin politik të palëve, të cilat, sidomos në këto momente, vlen të dëshmojnë vlera të kulturës dhe etikës politike demokratike në shërbim të mirëfunksionimit të jetës institucionale dhe të shtetit ligjor.

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin e tij se “do të vijojë të apelojë në kërkim të përcjelljes së këtyre mesazheve për klasën politike shqiptare në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese si Kryetar Shteti, por dhe me një përgjegjësi të lartë qytetare”, ndërsa nënvizoi se “deri në përfundim të mandatit të tij si President i Republikës, do të kontribuojë maksimalisht, me të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, në përmbushjen e aspiratave integruese dhe të interesave kombëtarë të popullit shqiptar”.

Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu shprehu vlerësimin për Presidentin Topi, për bisedën dhe mendimet e shprehura në këtë takim, që konfirmojnë pozicionin institucional dhe kushtetues të Kreut të Shtetit shqiptar, duke theksuar nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe funksionimin ligjor e profesional të institucioneve të pavarura kushtetuese.

Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe rolin aktiv të vetë Ambasadorit amerikan në drejtim të forcimit të demokracisë, konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura kushtetuese.


ARVIZU DJE: PROKURORIA KA MBESHTETJEN E SHBA-se
Ambasadori amerikan u shfaq sërish në krah të kryeprokurores Ina Rama gjatë konferencës së shtypit ( me 23 janar) ku u argumentuan urdhër arrestet per gardën dhe punonjësin e IT-së. Ai tha për mediat se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht hetimin për 21 janarin dhe veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, duke besuar në pavarësinë e saj. Duke folur për ngjarjen e 21 janarit, Arvizu tha se "ne të gjithë e dimë se ajo që nisi nga një provokim i qëllimshëm nga një grup i vogël ndaj policisë, çoi në përkeqësim të situatës, dhe kulmoi me vrasjen e 4 protestuesve dhe me lëndimin e të tjerëve. SHBA, në bazë të kërkeses së Prokurorisë së Përgjithshme, ra dakord për shërbimin e kriminalistikës dhe asistencën e hetimeve në këtë rast. Për këtë arsye, qeveria e SHBA e mirëpret atë që tha sot kryeprokurorja dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim zyrën e Prokurores së Përgjithshme, deri sa vazhdohet me këtë hetim"- u shpreh ai. Më tej ambasadori amerikan shtoi se hetimi duhet të jetë larg ndikimit të politikës dhe gjithëpërfshirës.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime