TIRANE- Edhe çështja e Ukrainës nuk bashkon dot Partinë Demokratike me mazhorancën. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, ku u diskutua për qëndrimin që do të mbajë Shqipëria për situatën e krijuar në Ukrainë, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, theksoi se Shqipëria dënon situatën e krijuar në ish-shtetin e Bashkimit Sovietik. Ministrja Kodheli ka theksuar se zhvillimet në Ukrainë janë në vëmendjen e qeverisë dhe se kjo e fundit i ka dënuar ndërhyrjet. “Shqipëria e ka ndjekur që në fillim krizën në Ukrainë, përmes MPJ, qeveria e ka dënuar ndërhyrjen ruse në Kiev.

 Shqipëria është në mbështetje të sovranitetit territorial të Ukrainës.”- është shprehur Kodheli. Krahas Ministres së Mbrojtjes, edhe Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade theksoi pas përfundimit të mbledhjes, se u arrit një qëndrim i unifikuar dhe falenderoi prezencën e ministres në këtë takim. Krahas kësaj, Dade pohoi edhe se Shqipëria është për një zgjidhje diplomatike të situatës dhe jo ushtarake. “Qëndrimi ynë është i unifikuar, në të njëjtën linjë me organizatat euroatlantike. Vlerësojmë punën e organizatave ndërkombëtare për zgjidhje. Jemi për zgjidhje diplomatike”,- tha Kryetarja e Komisionit të Jashtëm.

Por pavarësisht kësaj, Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Aldo Bumçit nuk arriti që të mbante një qëndrim pozitiv ndaj qeverisë, duke pohuar se deklarata e Kodhelit ishte e vonuar. Veç kësaj, Bumçi pohoi gjithashtu se në emër të qeverisë duhet të kishte ardhur Kryeministri Rama dhe jo Ministrja Kodheli. “Shpreh shqetësimin që kryeministri i vendit nuk është shprehur për të dënuar agresionin rus në Ukrainë”,- pohoi Bumçi.

Mbledhja e Komisionit të Jashtëm u bë pas propozimit të deputetit Ben Blushi, që një përfaqësues i qeverisë të shkonte në komision për të deklaruar qëndrimin e qeverisë për çështjen Ukrainase pasi sipas tij, vendi duhet të ketë një pozicion të qartë në këtë aspekt.

Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)