STRASBURG - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka zhvilluar sot një debat mbi raportin për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri, duke e miratuar atë me konsensus. Në debat e mori fjalën kryetarja e delegacionit të Parlamentit, Valentina Leskaj, e cila falënderoi Këshillin e Europës për mbështetjen konstante ndaj proceseve demokratike në Shqipëri, mbështetjen për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërkohë ajo vlerësoi debatin e zhvilluar në Parlamentin e KE, në një klimë mjaft pozitive dhe mbështetëse për të ardhmen Europiane të Shqipërisë.

“Zgjedhjet e 23 Qershorit shënojnë një pikë kthese jo vetëm për rotacionin politik po për procesin dhe të ardhmen Europiane të vendit”, u shpreh Leskaj.

Leskaj shprehu angazhimin shumë serioz të mazhorancës së re për avancimin e axhendes Europiane. Seriozitetin për përmbushjen e 12 prioriteteve jo në letër po në realitet.
Angazhimin për një parlament me demokraci funksionale ku opozita do ketë gjithë hapësirat për të luajtur rolin e saj të rëndësishëm.

Asambleja Parlamentare i vlerësoi zgjedhjet e 23 Qershorit konkurruese, me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve e me respekt për të drejtat e njeriut. Raporti për zgjedhjet e 23 Qershorit, u miratua me konsesus.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)