Erion Veliaj kërkon të ketë zë edhe në forumet e Partisë socialiste, ndonëse ndodhet në qeli. Në prag të mbledhjes së Asamblesë, ditën e shtunë, për herë të parë ai dëshiron të jetë pjesë e këtij takimi, qoftë edhe përmes një lidhjeje online. Për këtë i është drejtuar si SPAK-ut ashtu dhe vetë partisë. Në rast se pjesmarrja i pamundësohet, ai paralajmëron se do të mbajë një qëndrim me shkrim, dhe kërkon nga partia e tij, garanci se ky qëndrim do t’i paraqitet Asamblesë.
***
Të shtunën e 14 nëntorit, socialistët kanë njoftuar mbledhjen e Asamblesë së tyre, në Gjirin e Lalzit, larg protestave që mbahen në kryeqytet. I thirrur ndërsa për 6 muaj vendi do të jetë në votime për zgjedhjet e pushtetit vendor, forumi i lartë socialistë pritet të shënojë nisjen e përgatitjeve për takimin elektoral të radhës, që këtë herë pritet të jetë nën një sprovë jo të vogël. Manifestimet që nisën në qershor duke u intensifikuar e shoqëruar me akte të dhunshme gjatë javëve të fundit, kërkojnë largimin e qeverisë socialiste dhe kryeministrit Rama. Ndërsa nga brenda shumicës, transferimi i papritur i Erion Veliajt në burgun e Fierit, shënoi fillimin e një beteje të hapur, mes tij dhe kreut të qeverisë dhe partisë.
Duket se kryebashkiaku, nuk do që kjo betejë të mbetet thjesht një përplasje personale, por që zëri i tij të dëgjohet dhe në forumet e partisë. Jo më kot, në një letër dërguar sekretarit të Përgjithshëm të PS, por dhe SPAK-ut, ku kërkon të jetë i pranishëm në mbledhjen e asamblesë ai kujton dhe funksionet politike që mban ende.
"Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë", shkruan Veliaj.
Kjo është hera e parë që ai kërkon të marrë pjesë në një mbledhje asambleje, ku bën të qartë se nuk do që të jetë vetëm si spektator, por edhe të marrë fjalën, si në rast të pranisë fizike, po ashtu nëse do t’i mundësohej pjesmarrja përmes një lidhjeje online nga burgu.
“Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë”, shkruan Veliaj në letër.
Kërkesat e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, apo dhe në takime të parlamentit, si në rastin e dëgjesave për reformën territoriale, deri më tani janë refuzuar.
I vetëdijshëm se shanset që situata të ndryshojë, në këtë rast, Veliaj paralajmëron se ai do të ketë një qëndrim me shkrim, për të cilin kërkon që "të më jepet mundësia që qëndrimi im i shkruar t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes"
Në letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të PS, si dhe prokurorëve të SPAK-ut, Veliaj vë në dukje privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që ai mban.
Duke qenë se koha deri të shtunën është e shkurtër, ai kërkon një vendimmarrje të shpejtë lidhur me kërkesën e tij për t’u bërë pjesë e mbledhjes së socialistëve.
Letra e plotë e Erion Veliajt
Kërkesë urgjente për garantimin e pjesëmarrjes dhe ushtrimin e të drejtave statutore në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të datës 14 nëntor 2026, përmes pjesëmarrjes fizike ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,
I nderuar z. Prokuror,
Në datën 14 nëntor 2026 është njoftuar zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, organ më i rëndësishëm i drejtimit dhe vendimmarrjes politike të partisë në mes dy kongreseve.
Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut tirane, kryetar i partise socialiste tirane, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë.
Aktualisht ndodhem në paraburgim në IEVP Fier, në zbatim të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj meje. Kjo rrethanë më kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk sjell, në vetvete, humbjen e të drejtave të mia politike dhe statutore, për aq sa ushtrimi i tyre është i pajtueshëm me kufizimet e ligjshme që burojnë nga masa e sigurimit dhe regjimi i paraburgimit. E drejta për organizim dhe pjesëmarrje në jetën politike gëzon mbrojtje kushtetuese dhe konventore. Nenet 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkojnë që kufizimet e ushtrimit të këtyre të drejtave të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.
Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë.
Për këto arsye, kërkoj të më mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, mundësisht në mënyrë fizike dhe nëse kjo nuk realizohet, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë audiovizive.
I. KËRKESA DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË SOCIALISTE
Në cilësinë e autoritetit përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së organeve të partisë, ju kërkoj të ndërmerrni masat organizative dhe teknike për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Në mënyrë të veçantë, kërkoj:
- Të më njoftohen zyrtarisht ora, vendi, rendi i ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e datës 14 nëntor 2026.
- Të merren masat për mundësimin e pjesëmarrjes sime fizike, nëse kjo autorizohet nga autoritetet kompetente.
- Në alternativë, të sigurohet infrastruktura teknike për lidhjen time të drejtpërdrejtë me videokonferencë nga IEVP Fier, me mundësinë për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të ushtruar të drejtat e tjera që më njeh Statuti.
- Të bashkërendohen paraprakisht veprimet me administratën e IEVP Fier dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për realizimin e lidhjes audiovizive, duke respektuar kërkesat e sigurisë së institucionit.
- Nëse pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, të më jepet mundësia që qëndrimi im i shkruar t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes, pa e konsideruar këtë alternativë si zëvendësim automatik të së drejtës për pjesëmarrje.
Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore.
II. KËRKESA DREJTUAR PROKURORIT TË ÇËSHTJES
Duke qenë se ndodhem nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”, ju kërkoj të shqyrtoni me urgjencë mundësinë ligjore të pjesëmarrjes sime fizike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe sipas kompetencës suaj, të jepni miratimin përkatës ose t’ia përcillni kërkesën pa vonesë autoritetit kompetent për vendimmarrje. Nëse pjesëmarrja fizike nuk mund të realizohet, kërkoj që të shqyrtohet dhe të mundësohet pjesëmarrja ime nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier.
Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë. Theksoj se kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit. Për këtë arsye, kërkoj që çdo kufizim apo refuzim të mbështetet në një bazë konkrete ligjore, të arsyetohet dhe të marrë në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në distancë si alternativë më pak kufizuese.
III. URGJENCA E SHQYRTIMIT
Duke qenë se mbledhja e Asamblesë Kombëtare është caktuar për datën 14 nëntor 2026, kërkoj që kjo kërkesë të shqyrtohet menjëherë dhe që vendimmarrja të më komunikohet në kohë të mjaftueshme për organizimin e pjesëmarrjes. Mungesa e një përgjigjeje përpara zhvillimit të mbledhjes do ta bënte praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtës sime për të marrë pjesë në një proces konkret të vendimmarrjes politike.
Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj.
Në përfundim, kërkoj që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe autoritetet kompetente të bashkërendojnë veprimet e nevojshme për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, fizikisht ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
Me respekt,
ERION VELIAJ
Anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste

.png)
.png)
Letra e Erion Veliajt











Komente
Komento