Asambleja e PS, Rama: Nuk mund të presim më! Studentët na dhanë mundësinë që të lexojmë se cila është rruga për mandatin e tretë

Asambleja e PS, Rama: Nuk mund të presim më! Studentët na dhanë mundësinë që të lexojmë se cila është rruga për mandatin e tretë

Kryeministri Edi Rama

Nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli gjatë për protestën e studentëve si një moment i cili sipas tij reflekton domosdoshmërinë e një ndryshimi të thellë në kabinetin qeveritar. Protesta, tha Rama, ishte një tregues i fortë për të synuar mandatin e tretë qeverisës duke korrigjuar gabimet. 

Nuk mund të presim më gjatë që të marrim mesazhet dhe mësimet nga kjo që kemi para syve, nuk është asgjë veçse një mundësi e jashtëzakonshme, nuk është protestë për t'u mbyllur, për të larë gojën, që duhet të ngelet te kërkesat dhe ne të mjaftohemi që në 7 janar të dalin ata të doktoreshës, artistit dhe qorrit. Ju ftoj që ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë e një reflektimi dhe kapërcim të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do na çojnë në fitoren e mandatit të tretë, studentët na e kanë dhënë mundësinë që të lexojmë se cila është rruga për mandatin e tretë.

Edi Rama, kryeministër

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS me protestën e studentëve. Rama tha se protesta e studentëve ishte një shuplakë për qeverinë. Rama tha se kjo qeveri është mundësia e vetme për zgjidhjen e kërkesave të studentëve

“Uroj që të gjithë ju së bashku me të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe politike të keni një vit të ri të gëzuar me shëndet e mbarësi në familjet tuaja! Ky është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë. Por e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fund vitit protesta e studentëve. Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare dhe në emër të besimit tek unë, tek ne. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime turp-turp, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi për ta mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se ky brez po paguan reformat që nuk u bënë më parë. “Kjo pritshmëri e madhe e atij brezi të rrumpallës të arsimit shqiptar është një nga gjërat me prekëse që unë kam përjetuar në rrugën në jetën time. Secili prej tyre mund të ishte fëmija im, i cili ka lindur në një vend ku ranë totalisht të gjitha rregullat e jetesës shkollore, me gjithë lirinë dhe demokracinë erdhi dhe marramendja individuale që ka përjetuar ky vend ndonjëherë. Ky brez është pasqyra më politike për çerek shekulli. Ky brez po paguan reformat që nuk u bënë më parë”, tha Rama.

Duke paralajmëruar ndryshime në kabinet, Rama tha se "ministrat që do largohen kanë një rol tejet pozitiv në diçka që kemi bërë dhe transformimet që kemi sjellë". "Janë një gjeneratë drejtuesish që ka shumë për të dhënë edhe në parti", tha Rama duke njoftuar se do largohen ministrat që kanë 5 vite në qeveri. "Të gjithë ata që kanë 5 vjet në kabinet t’ja lënë vendin të tjerëve, dhe për ta, bëj falënderim të posaçëm e për punën e tyre mbaj një fjalë". 

Të parën, Rama përmendi Lindita Nikollën, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si ministren e parë që largohet e cila do zëvendësohet nga Besa Shahini që mban aktualisht detyrën e zv/ministres. "Dua ta filloj me Linditën. Reforma ne arsim është një nga më të thellat në adresimin e fundit të trancizionit. Kjo është padyshim e lidershipit të Linditës. Sistemi i hyrjes në universitet është sistemi që krijoi Lindita Nikolla, sistemi që prej dy vjetësh nuk kemi asnjë ankesë, nuk është metaforë, është fakt. Edhe ligji për Arsimin e Lartë garanton fundin e tranzicionit, mjafton ta zbatojmë, është meritë e Linditës. Ligji ka ardhur në Kuvend i mbështetur nga dekanatët dhe rektoratet, konsensus nga gjithë vota akademike, por sigurisht që paralelisht me këtë punë dhe kontribut, ka shumë gjëra të tjera që presin për lidershipin e Linditës, që nga udhëheqja e një qarku ku duhet të fitojmë në Lezhë… Besa Shahini do të zëvendësojë Lindita Nikollën, është zv. ministrja me një karrierë akademike dhe ka gjithë kapacitet për të marrë stafetën dhe për të çuar përpara reformat e për të rritur efikasitetin e punës së MAS".

Reforma në qeveri prek edhe Arben Ahmetajn i cili largohet nga ministër i Financave, Damian Gjiknurin te Infrastruktura, Ditmir Bushatin te Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Mirela Kumbaron te Kultura, Senida Mesin te Sipërmarrja, Niko Peleshin te Bujqësia.   

"Arben Ahmetaj ka rol absolut në gjithçka që lidhet me ekonominë, që humbasin shumë herë në vorbullën e kazanit. Nëse sot shifrat janë të atilla që vendi pati sukses në tregjet botërore, merita i takon atij. Ministrja e re është Anila Ademi, drejtuese e fondit të shërbimit shëndetësor.

Dimtir Bushati ka merita të padiskutueshme në rrugën e deritanishme, në botë e rajon, shërbimin konsullor, por është koha që ai t’i përkushtohet Shkodrës dhe të japë kontributin e vet në Këshillin e Integrimit, zv.ministri do të jetë në vendin e tij.

Damian Gjiknuri… ajo që ka ndodhur së fundmi ka errësuar figurën dhe kontributin e tij, ai është ministri që ka lënë shenjë të pashlyeshme në reformimin e sektorit të energjisë dhe pavarësisht se çfarë mund t’i atribuohet loidershipit në atë drejtim,u them pa asnjë modesti se pa Damianin ajo reformë do ishte e pamundur, askush tjetër nga ministrat nuk i ka kapacitete e tij drejtuese e menaxhuese, askush.

Jam i bindur se historia e mahisur politikisht e lobit të unazës do të zbardhet deri në fund dhe do të provojë pafajësinë e tij. Jam i binduri se Damiani do udhëheqë fort në qarkun e Vlorës për të fituar në zgjedhje atje. Ministrja e re do të jetë Belinda Balluku. Ajo i ka të gjithë atributet për ta drejtuar me sukses atë ministri.

Niko Peleshi ka qenë një bashkëpunëtor që të gjithë donin ta kishin, partia ka fatin e madh ta kishte, Bledi Çuçi do të zëvendësojë Niko Peleshin. Nikos i bie barra të sjellë nga qarku i Korcës edhe një rezultat më të mirë.

Mirela Kumbaro besoj që meriton respektin për një punë të madhe që është bërë, përmbysje totale në gjithë drejtimet trashëgimia kulturore sot është më në kujdes, janë të panumërta ndërhyrjet. Elva Margariti është këshilltare në Kryeministri dhe koordinatore kombëtare e projektit 100 fshatrat.

Sonila Qato do lërë kabinetin për një detyrë tjetër, Eduard Shalsi do të vijë në vendin e saj si ministër shteti. 

Do rikthejmë ministrin për marrëdhëniet me Kuvendin, është domosdoshmëri, duhet ta them sot hapur, vlera më e madhe e luajalitetit ndaj PS në përvojën time si kryeministër është ky grup parlamentar që kam, jam i keqardhur që ai goditet nga muskujt e opozitës.

Shumë ministra do të kenë në gjirin e tyre për t’i rehabilituar, në këto kushte Elisa Spiropali të kthehet si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin", tha Rama.

Në një kohë kur ministrat e shkarkuar e pritën me trishtim fjalimin e kryeministrit për largimin e tyre, duartrokitjet e sallës shkuan për Erion Braçen, i cili u emërua zv/kryeministër. "Në fund fare, kam edhe një dyshim shumë se Erion Braçe do të jetë zv. kryeministër i qeverisë, se është koha që shumë nga ato që thashë e të tjera që nuk i thashë, të adresohen, Erioni si zv. kryeministër do të ketë gjithë autoritetin të ndjekë procesin e transportimit të shërbimeve në shërbime dinjitoze për njerëzit. Për pastrimin e administratës nga hajdutët, parazitët dhe fundërrinat që abuzojnë me qytetarin pa pikën e turpit duke tundur lloj lloj flamujsh që nga ai i PS, krushqisë, vëllazërisë. Është koha që ndarja më këtë lloj qenie të jetë drastike në çdo pjesë të territorit, që dimensioni i ri të jetë kudo", theksoi kreu i qeverisë. 

Nuk largohen nga qeveria Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Pandeli Majko, ministër për Diasporën, Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë, Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, Bledi Klosi, ministër i Mjedisit dhe Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, por Rama kishte një paralajmërim për këta dy të fundit. "Blendi Klosi e di afatin qe ka deri ne fund te qershorit e di edhe detyrën qe ka e nëse do ta zbatojë do të jetë gëzimi për fitoren e zgjedhjeve në qarkun e Beratit. Po kështu Ogerta e di shumë mirë se ca pritet prej saj në gjashtë muajt e ardhshëm". 

"Kjo ishte paraqitja që kisha duke iu siguruar se ajo që nisa të them dhe që dua ta mbyll është që ky është moment i rëndësishëm për PS dhe mundësi e jashtëzakonshme për mua nuk është fjalë goje. Me besimin që qeveria e re do të krijojë më shumë hapësirë për më shumë ndërveprim pasi një pjesë e atyre që thashë do të lënë qeverinë dhe do të kenë fokus në fushatë, me garancinë për ju që asnjë ministër, qoftë edhe i sapoardhur, nuk do të tolerohet nëse nuk do i mbajë parasysh ata për të cilat është bërë ky ndryshim, u uroj të gjithëve gëzuar", përfundoi Rama.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lexues: 28/12/2018 20:44

    Mandat te trete enderroje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja