Asambleja, rikthimi i themeluesve
në PS,Ruka:Kontributi mbetet i njëjtë

Asambleja, rikthimi i themeluesve<br />në PS,Ruka:Kontributi mbetet i njëjtë
Asambleja e Partisë Socialiste ka rikthyer si anëtar të saj themelues, ish-deputetë dhe ish-ministra. Në Asamblenë e PS janë rikthyer ish-deputetët Et’hem Ruka dhe Bukurosh Stafa, por edhe dy nga themeluesit e Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga dhe Ilir Zela, ish-ministra në kabinetet e Fatos Nanos, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës.

Ish-ministri i Arsimit dhe i Mjedisit në qeverinë e 'Fatos Nanos', Et’hem Ruka, ka falënderuar anëtarët e Asamblesë për vlerësimin që i është bërë, ndërsa ka theksuar se kontributi i tij mbetet i njëjtë që nga themelimi i kësaj partie.“Gjej rastin të falënderoj gjithë anëtaret e Asamblesë Kombëtare të PS që votuan për rikthimin tim në këtë forum të rëndësishëm politik. E konsideroj një vlerësim, megjithëse brenda ose jashtë këtij forumi, kontributi im dhe i kolegëve të gjeneratës sime mbetet i njëjtë me atë ditëve të para të themelimit të kësaj force të madhe politike”, ka shkruar Et’hem Ruka në Facebook.

Hajdaraga
Luan Hajdaraga ka theksuar se qenien e tij në PS nuk e ka njehsuar kurrë me karriget, ndonëse ka konsumuar role shumë të rëndësishme në këtë parti. “Gjatë gjithë kohës, duke filluar nga krijimi i partisë, i kam konsumuar të gjitha rolet e rëndësishme. Kam qenë nënkryetar i partisë, ministër i Nanos, Metës dhe Majkos. Qenien dhe militimin tim në PS nuk e kam konsideruar kurrë si njehsim me karriget”, thotë Hajdaraga. Ndërkaq, ish-ministri Ilir Zela ka theksuar se Partia Socialiste është shtëpia e tij, duke shtuar se do të jetë aty ky PS ka nevojë. “Për mua nuk është rikthim. Nuk mund t’i thuash tjetrit rikthim në shtëpinë e vetë. PS është shtëpia ime dhe do të jem aty ku ajo të ketë nevojë”, shprehet Zela.

Mesazhi
Ish-ministri Luan Hajdaraga ka theksuar rëndësinë e harmonizimit të moshave në Partinë Socialiste. “Të gjithë ata që kanë dhënë kontribut dhe janë në gjendje të kontribuojnë, të gjithë duhen përfshirë në organet e partisë. Duhet të harmonizohen moshat dhe eksperiencat dhe kjo është shumë pozitive”, thotë Hajdaraga. Ndërsa, Ilir Zela ka ironizuar ish-kryeministrin Sali Berisha. “Meqë shoku Sali ishte mërzitur për këtë dje dhe ishte munduar ta shpjegonte, duket se kjo është diçka që i bën keq Saliut dhe mirë PS-së”, vijon Zela. Edhe për dy ish-ministrat, partia e tyre duhet të dalë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me LSI, bashkëpunim që e cilësojnë si të domosdoshëm. “PS duhet të hyjë në aleancë të fortë me LSI dhe partitë e tjera, sepse vetëm kështu mund të garantojë fitoren dhe realizimin e programeve”, nënvizon Hajdaraga. Nga ana e tij, Zela ka pohuar se bashkëpunimi me LSI është jetik. “E shoh bashkëpunimin me LSI si fare të natyrshëm dhe mendoj se duhet të vazhdojë pasi është jetik”, shton Zela.
 
Et’hem Ruka
“E konsideroj një vlerësim, megjithëse brenda ose jashtë këtij forumi, kontributi im dhe i kolegëve të gjeneratës sime mbetet i njëjtë me atë ditëve të para të themelimit të kësaj force të madhe politike”.
 
Luan Hajdaraga
“Të gjithë ata që kanë dhënë kontribut dhe janë në gjendje të kontribuojnë, të gjithë duhen përfshirë në organet e partisë. Duhet të harmonizohen moshat dhe eksperiencat dhe kjo është shumë pozitive”. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët