Policia vazhdon asgjësimin e lëndëve narkotive në të gjithë vendin. Ditën e sotme është bërë i mundur asgjësimi i 13537  rrënjëve kanabis, në Gjirokastër, Këlcyrë, Sarandë, Krujë dhe Kurbin. Në Gjirokastër policia ka vënë në pranga një 20-vjeçar, ndërsa në Sarandë, Krujë dhe Kurbin nuk dihen akoma kultivuesit e bimëve narkotike. 

Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Redon Hoxhaj, 20 vjeç, banues në fshatin "Arshi Lengo", Gjirokastër për kultivim të bimëve narkotike.

20-vjeçarit iu janë gjetur në baçen pranë banesës 333 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

Bimët janë asgjësuar me anë të djegies, sakaq janë asgjësuar edhe 7650 bimë narkotike , në vendin e quajtur  "Konoshtin" , në fshatin Gerdas ,Këlcyrë.
 
Policia po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Sarandë

Ndërsa policia e Sarandës ka asgjësuar 8 parcela me 2384 rrënjë kanabis sativa.

Bimët narkotike ishin të mbjella në tokë dhe në gota plastike nëpër zonat e pyllëzuara pranë fshatrave Perdhikal dhe Karroq me lartësi 50 cm.

Bimë u asgjësuan nga policia me anë të djegies sakaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.  

Krujë

Në kuadër të punës për evidentimin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kurcaj dhe Bret të Krujës u gjetën dhe u asgjësuar 1320 rrënjë kanabis sativa. Bimët u asgjësuan me anë të djegies, sakaq policia sekuestroi dhe një armë zjarri tip pushkë. Nuk dihen ende autorët por po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Kurbin

Policia ka asgjësuar 1850 rrënjë kanabis të mbjella në 4 parcela në Kurbin. Lartësia e tyre varionte nga 10 cm deri në 1.5m.

Bimët janë asgjësuar me anë të djegies, sakaq nuk dihen autorët por po punohet për kapjen e tyre.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)