Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Gjatë takimit, kreu i shtetit e vlerësoi progres-raportin si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit evropian dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.

Në fokus të diskutimit ishte edhe vijimi i reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.

Kreu i shtetit theksoi se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten elementë thelbësorë për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian.


Lajmi kryesor:

Ambasadorja e BE: Dhuna nuk ka vend në protesta! Rama: Dorëheqja nuk imponohet nga rruga, nga nesër dritare dialogu online (VIDEO)