SHKODËR- Policia e Shkodrës ka asgjësuar 3520 bimë narkotike në fshatra. Ndërsa ende nuk dihen autorët. Asgjësimi i tyre vjen në kuadër të megaoperacionit “Alpe të pastra” që pati si fokus goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe është finalizuar faza e 18 e tij.
“18 fazat e këtij megaoperacioni, rezultat i angazhimit maksimal të qindra grupeve të kontrollit, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, komisariatet e Policisë në varësi të saj dhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me dronë të rezolucionit të lartë, me automjete dhe me mjete lundruese. Megaoperacioni u shtri në zona të thepisura dhe shumë të thella të të gjitha fshatrave të qarkut”, njofton policia.
Konkretisht u asgjësuan 2098 bimë në Pult dhe në Shalë; 1108 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal dhe 314 bimë në fshatrat Kastrat dhe Shkrel.
Gjatë periudhës 29 prill-4 tetor 2023, kur u zhvillua ky megaoperacion, u asgjësuan në total 75 903 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, u vunë në pranga 9 autorë të dyshuar të kultivimit të tyre, si dhe u shpallën në kërkim 11 shtetas të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.