Opozita me në krye Sali Berishën, i rikthyer në dhjetor të vitit 2021, ka pësuar në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, disfatën më të thellë që nga themelimi i Partisë Demokratike, duke tejkaluar edhe humbjen pas trazirave të marsit 1997. Humbja merr një dimension tjetër në kushtet kur pjesë e koalicionit ishte edhe Partia e Lirisë së Ilir Metës, ku edhe ku rezultat duhet të ndahet mes Foltores dhe PL-së, duke e bërë disfatën edhe më katastrofike. Në këto zgjedhje, Sali Berisha, me në krah Ilir Metën, humbi të gjithë Veriun, duke lëshuar bastionet historike si Shkodrën dhe Tropojën, ndërsa po aq therëse ishte humbja në Kamës, tre bashki që PD-ja nuk e ka diskutuar fitoren kur drejtohej nga Lulzim Basha.

Në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha humbi edhe ato 15 bashki që Partia Demokratike kishte fituar në zgjedhjet lokale të 2015, me në krye Lulzim Bashën, edhe pse kundra kishte PS-në dhe LSI-në e Ilir Metës, ku ky i fundit në 14 maj ishte në krah të Berishës. Në vitin 2015, PD-ja me në krye Lulzim Bashën kishte fituar në bashkitë Klos, Tropojë, Përmet, Mat, Shkodër, Vorë, Selenicë, Pogradeci, Vau i Dejës, Kukës, Mallakastër, Agron Kapllanaj, Dropull,  Devoll, Lezhë, Fran Frrokaj dhe Kamëz. Të gjitha këto bashki janë humbur në bllok nga Sali Berisha, edhe pse kishte në krah Ilir Metën.

Alibia e parë e Berishës, për manipulim të sistemit elektronik në tre bashkitë që u aplikua votimi dhe numërimi elektronik (Vorë, Kamëz dhe Elbasan), u rrëzua për disa orë, pasi rezultati në këto tre bashki, përputhej me rezultatin në të gjithë Shqipërinë. Alibia e dytë, ajo e deformimit të zgjedhjeve nga krimi, është një justifikim i vjetër, por që u rrëzua pasi koalicioni Berisha-Meta, fitoi në 6 bashki. Nëse krimi ka diktuar fituesin në shumicën e bashkive, pse opozita fitoi në 6 bashki? Që të dyja alibitë janë të dobëta dhe nuk ngjisin.

Po si do të reflektohet disfata e 14 majit në zhvillimet politike në kampin e djathtë? A do të ketë një reflektim nga Sali Berisha, për t’u tërhequr nga politika? A do të rikthehet Lulzim Basha në selinë blu? Në vendimin e Gjykatës së Apelit për çështjen e ‘vulës’ së PD-së, thuhet se Lulzim Basha është zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike dhe se dorëheqja e tij është nul. Gjithashtu, sipas këtij vendimi, selia blu i takon PD-së zyrtare të Lulzim Bashës dhe se Berisha është një uzurpues.