TIRANE - “Paketa më e ashpër ndaj krimit në këto 20 vjet”, kështu e ka cilësuar ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, paketën e këtij institucioni për ndëshkimin e krimit, prezantuar sot në një tryezë me anëtarë të kabintetit qeveritar dhe ekspertë të huaj, të cilët kanë dhënë kontribut në hartimin e kësaj pakete.

Sipas ministrit Halimi, janë 41 nene në mbrojtje të jetes dhe sigurisë publike, të cilat ‘ashpërsojnë’ Kodin Penal, duke e çuar dënimin maksimal në 40 vjet, nga 25 që ka qenë.

“Ne sot thyejmë traditën e drejtësisë penale në Shqipëri, duke rritur masën e dënimit nga 25 vjet në 40 vjet, dhe duke aplikuar dënimin me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda që kanë shqetësuar këto kohë shoqërinë shqiptare. Ne sot thyejme traditën e drejtësise penale, duke sjellë garantimin e vuajtjes së dënimit, me heqjen e së drejtës për lirim para kohe me kusht, për një sërë krimesh. E thënë më ndryshe, ne do të kërkojmë garantimin e plotë të dënimit, në mënyrë që kur dikush do të dënohet 40 vjet burg, t’i kryejë ato vite, kokërr më kokërr, pa pasur mundësi të lirohet as duke paguar avokat, as duke paguar gjyqtarin dhe as duke paguar prokurorin”, tha ministri Halimi.

Paketa ka në themel të saj krimet më të rënda dhe më të papranueshme të shoqërise shqiptare si vrasjen e policit, vrasjen për gjakmarje, vrasjen e gruas dhe për mbajtjen e armëve të zjarrit pa leje në publik.


VRASJA E POLICIT

"Kushdo që vret efektivë policie nuk mund të këtë ndëshkim më të ulët se 38-vjet burgim, pa lirim me kusht. Kushdo që vret policin duhet të qëndrojë në burgim të përjetë. Dënime të ashpërsuara të cilat nga 25 vjet do të rriten në 38 vjet si minimum".

VRASJA PER GJAKMARRJE
"Paketa e Drejtësisë Kriminale sjell edhe për vrasjen për gjakmarrje, ku dënimi që ne kemi parashikuar është jo më pak se 38 vjet burg. Edhe pse një dukuri në rënie, gjakmarrja, ky rit i papranueshëm për shoqërinë shqiptare duhet të zhduket. Ndaj dhe përgjigja ndaj të gjithë atyre që në mendjen e tyre kriminale synojnë të vrasin për gjakmarrje duhet ta kenë të qartë se dënimi që i pret do të jetë jo më pak se 38 vjet burg, se dënimi që i pret do të jetë burg përjetë. Çdokush që kapet me armë zjarri në publik, duhet ta ketë qartë se do dënohet jo më pak se 10 vjet"

VRASJA E GRUAS
"Kush vret një grua, një vajzë brenda familjes, jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim përjetë. Por, minimumi 38 vjet".

ARMEMBAJTJA PA LEJE

“Çdokush që kapet me armë zjarri nëpublik, duhet ta ketë qartë se do denohet jo më pak se 10 vjet". “Cdokush që shkon në mendjen e vet se duhet të dalë me armë në brez, duhet ta ketë të qartë se do të bëjë jo më pak se 10 vjet burg, dhe askush nuk mund ta ndihmojë për këtë, as prindërit, as avokati, as prokurori dhe as gjyqtari”, theksoi Halimi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)