TIRANE- Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe në këtë aksion me Shqipërinë e cila si gjithnjë është në të njejtën linjë me atë të BE e SHBA. Kështu, Shqipëria i bashkohet 5 vendeve të tjera joanëtare të BE, që kanë adoptuar sanksionet ndaj Moskës, në përputhje me MSA-në. Lajmi u bë i ditur dje nga zyra për shtyp e shefes së diplomacisë së BE-së, Baroneshës Catherina Ashton ku theksohet se, Shqipëria, Mali i Zi dhe katër vende të tjera që nuk janë pjesë e BE-së, i janë bashkuar nismës së unionit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Deklarata thotë se Shqipëria, Mali i Zi, Islanda dhe Moldavia, në përputhje me MSA, pranojmë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, ku përfshihen pezullimet e udhëtimeve dhe ngrirja e llogarive bankare për një numër të caktuar rusësh e zyrtarësh të Krimesë. Norvegjia e Lihtenshtejni, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por bëjnë pjesë në Komunitetin Ekonomik Europian, i janë bashkuar gjithashtu sanksioneve.

“Bashkimi Europian i merr në konsideratë këto vendime dhe i mirëpret ato”, tha Ashton në deklaratën e saj. Sanksionet ndaj Rusisë vijnë pas asaj që Bashkimi Europian e cilësoi si aneksimi i Krimesë. Kjo e fundit mbajti referendumin ditën e dielë për bashkimin me Rusinë. Ndërsa Putini firmosi dekretin për njohjen e Krimesë si shtet të pavarur dhe sovran, pjesë të Federatës Ruse.
 
Ambasadori Abramov
Nga ana tjetër Rusia shpreh keqardhje për qëndrimin e mbajtur nga qeveria Shqiptare për konfliktin në Krime. Ambasadori i Rusisë në Tiranë Leonid Abramov, në një konferencë të posaçme për mediat, ka sqaruar qëndrimin e Moskës zyrtare ndaj pozicionimit të Shqipërisë për çështjen e Krimesë. Abramov tha se për palën Ruse ka keqardhje ndaj qëndrimit të Shqipërisë, që nuk respekton të drejtën e popullit të Krimesë për vetëvendosje. Për ambasadorin rus, deklaratat e Ministrisë së Jashtme nuk i shërbejnë forcimit të marrëdhenieve mes 2 vendeve. Megjithatë ai tha se pavarësisht situatës ka mundësi që mes vendeve të zhvillohen edhe më tej raportet.

“Mund të shpreh vetëm keqardhje dhe Shqipëria e di shumë mirë parimin e vetëvendosjes dhe sa i rëndësishëm është ky parim për një jetesë normale të popujve. Nuk jam për deklarata të tilla, por udhëheqës dhe të Shqipërisë dhe Hashim Thaçi kanë deklaruar se nuk ekziston asnjë ngjashmëri mes Kosovës dhe Krimesë. Nuk e kemi thënë ne, por e keni thënë ju”, tha Abramov. Në lidhje me vendosjen e sanksioneve nga disa shtete perëndimore, ai tha se do të kenë efekt të kundërt. Pasi mund të shkaktojnë goditje për ato shtete që i promovojnë. “Vendosja e sanksioneve nuk besoj se do ketë ato efekte që synojnë.

Edhe herë të tjera ndaj shteteve më të vogla se Rusia, është dëshmuar se nuk kanë dhënë efekt. Rusia është një shtet i madh, ka aleatë të tjerë si Kina, India. Madje besoj se sanksionet mund të shkaktojnë një goditje për ato shtete që i vendosin”, tha diplomati rus.  Ai shtoi gjithashtu se Rusia do të përpiqet me çdo formë dhe mënyrë që të mos ketë përdorim të armëve. I pyetur në lidhje me deklaratën e Berishës që e cilësoi “Putin fashist’, ambasadori u shpreh: “Deklaratat e Berishës kundër Putin tregojnë se është analfabet historik.  Berisha ka mbetur në qorrsokak politik, nuk di ç’thotë".

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)