Asnjë mjet lundrues nuk ka dalë sot në det. Drejtori i ri i drejtorisë së Kufirit të Vlorës Eduart Sulejmani është shprehur se asnjë mjet lundrues nuk do qarkullojë në ujrat e bregdetit te qarkut të Vlorës. Janë duke u kontrolluar të gjitha dokumentacionet e mjeteve lundruese kryesisht Gomone, Skafe ndërsa Jet Ski-të i kanë hequr. Sulejmani është shprehur se mjetet lundruese që të lëvizin në det duhet të kenë një sërë dokumentash, që nga ato të mjetit, licencë turistike, NIPT të regjistruar në QKR, kontrat me zyrën e punës, të jenë të siguruar etj. Nëse do të mungojë qoftë dhe një dokument do të merren masa administrative deri në bllokim të mjetit lundrues. 

Një ditë më parë, ishte policia kufitare cila jepte lejet për gomonet që te lëviznin në det, ndërsa në det ishte dhe gomonia e policisë që kontrollonte mjetet për dokumentacionin. Më pas policia dha urdhër që të mos lëvizë asnjë mjet lundrues në det. Në këtë mënyrë, pronarët janë detyruar të kyçin mjetet lundruese që i jepnin me qira gjatë sezonit veror. Kjo vjen pas tragjedisë në Himarë ku komisari Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia teksa drejtonte gomonen. Edhe Policia Kufitare e Sarandës e Ksamilit ka marrë vendimin për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve motorike. Ky vendim parashikon se asnjë mjet uji jetski dhe skaf nuk do të lejohet të akomodohet dhe qarkullojë në ujërat e 140 plazheve private dhe 5 plazheve publike në Sarandë dhe Ksamil.

Vendimi përjashton vetëm mjetet ujore të licencuara për udhëtime turistike, të cilat do të lejohen të dalin vetëm nga Porti dhe nga Limani dhe nuk do të lejohet hyrja dhe dalja e tyre nga territoret e plazheve apo mole të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të cilat nuk janë të licencuara.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Sot pritet të jepet masa e sigurisë për akuzën "vrasje me dashje", nga e cila rrezikon 10-20 vite burg.