HIMARË- Një fëmijë rreth 7-vjeç ka humbur jetën pasi është goditur nga një gomone mesditën e kësaj të marte në plazhin e Potamit në Himarë. E mitura Jonada Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Plazhin e Potamit, një plazh i mbi populluar. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në Polici.

Ai edhe pse pa patentë po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone, me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin "Nëna 154" i cili ka qenë edhe me dy persona të tjerë në bord. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka patur korridor të miratuar për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese. Burime për Report Tv bëjnë me dije se autori kishte shkuar me pushime me Himarë që prej ditës së djeshme.  Ai la familjen në shezlong ka marrë gomonen të cilën mund ta ketë marrë me qira ose mund t'ia ketë marrë një shoku të tij dhe u rikthye sërish në breg të detit për t'i bërë xhiro familjes.

Tase i ka dhënë mbrapsht gomones, helikat e së cilës prekën vogëlushen

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën. 

Ditën e diel, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano doli në një konferencë për mediat ku i dha urdhër Policisë Kriminale që të dalin në terren dhe të patrullojnë vijën bregdetare për të parandaluar çdo manovër të rrezikshme të mjeteve lundruese. Pak orë pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka përjashtuar përfundimisht nga policia Arjan Tasen.

 Vetë gazetari i Report Tv nga Vlora, Armand Xhelili e ngriti si shqetësim ku vija bregdetare e plazhit është e mbushur me mjete lundruese me apo pa leje, të cilët janë shndërruar në një problem serioz për pushuesit. 

1659443846_POTAM.jpeg

1659444212_potamaksidenti.jpeg

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:07
Përplasi për vdekje me gomone 7-vjeçaren, zbardhet dëshmia e Arjan Tases: Gomonia ishte me defekt, mori gaz menjëherë, nuk doja ta bëja

1659446333_Sequence03.00240604.Still033.jpg

Është zbardhur dëshmia e Arjan Tases, i cili përplasi me gomone për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia. Tase është marrë në pyetje nga oficerët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Mësohet se Tase ka deklaruar se gomonia kishte defekt, ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje. Tase ka deklaruar se gomonia nuk ishte e tij, por ia kishte marrë një miku të tij për ta përdorur. Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi.

Ora 22:34
Iu pre jeta tragjikisht ende pa filluar, kjo është vajza 7-vjeçare që u godit sot nga gomonia në Himarë

1659472301_Sequence03.00200824.Still033.jpg

Jonada Avdia, 7 vjeç, është vajza e vogël që humbi jetën sot në Himarë nga ngjarja e rëndë, kur një skaf e aksidentoi në bregdetin e Potamit.

Ajo kishte ardhur me familjen nga Anglia për të kaluar pushime në Atdhe por jeta iu pre në mes.

Ora 21:13
FOTO/ 7-vjeçarja humbi jetën në mënyrë tragjike në Himarë, qytetarët homazh te kryeministria, ndezin qirinj

Pas ngjarjes tragjike në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja për shkak të goditjes nga gomonia, qytetarët janë solidarizuar duke ndezur qirinj. Nga grup qytetarësh janë mbledhur mbrëmjen e sotme përpara kryeministrisë, ku kanë ndezur disa qrinj në tek shkallët si homazh për 7-vjeçaren që humbi jetën.

 

Ora 20:55
‘Plumbin kokës do marrësh’, ‘Shihni trimin si kërcënon ata që u vrau fëmijën’, pushuesit përplasen me Arjan Tasen pasi goditi për vdekje 7-vjeçaren me gomone (VIDEO)

Pak pasi ndodhi aksidenti tragjik në Himarë, kur Arjan Tase goditi me gomone për vdekje 7-vjeçaren, pushuesit janë përplasur me drejtuesin e mjetit. 

“Shikoni, shikoni monstrën si bën trimin akoma. Mbylle mor gojën, kërcënoji, kërcënoji ato që iu vrare fëmijën, plumbin do hash. Ke gojë dhe flet ti”, dëgjohen që ti thonë pushuesit drejtuesit të skafit.

“A ke fëmijë ti?”

“Çfarë janë këta mor, shihni dhe si rri, çfarë është ai mor, çfarë është ai?”. thotë një pushues tjetër.

Ora 20:38
FOTO/ E dhimbshme, babai i 7-vjeçares në momentet e para të tragjedisë? I kërkon llogari Tases, më pas i dërrmuar shtrihet në rërë e vë duart në kokë

1659465257_page.jpg

Këto 2 foto janë duke u shpërndarë në rrjetet sociale dhe i përkasin tragjedisë së Himarës. Janë momentet e para të pas ngjarjes tragjike ku shikohet se një i afërm i vajzës 7-vjeçare, në rrjet thuhet se është babai por ende nuk është konfirmuar, shihet i dërrmuar nga dhimbja.

Ai duket i konfliktuar me duar me policin Arjan Tase pas ngjarjes së kobshme. Në një moment babai i vogëlushes shtrihet i dërrmuar në plazh me duart mbi kokë.

 

 

Ora 19:15
‘Askush nuk guxonte të hynte në det të nxirrte trupin e vajzës...nëna nuk ikte dot nga vendi i ngjarjes’, rrëfimi i dhimbshëm i gazetares që pa gjithçka në Himarë

Trupin e vogëlushes që humbi jetën sot tragjikisht në Himarë e ka nxjerrë nga deti një turist holandez që punonte te ndihma e shpejtë, pasi askush nuk guxonte të futej brenda. Kështu shkruan në një reagim në Facebook, gazetarja Esmeralda Keta, e cila ka qenë e pranishme në vendngjarje.

Gazetarja shkruan se nëna e vajzës nuk largohej nga vendi i ngjarjes nga frika se mos ajo manipulohej për të lehtësuar pozitat e shefit të policisë.

“Vetëm pak metra larg fëmijëve të mi që po laheshin ne det, një 5-vjecare e bukur, me kacurrela te arta, u masakrua nga një skaf…Per te kuptuar se sa dramatike ishte ngjarja mjafton tu them se asnje prej dhjetra pushuesve nuk guxonte të futej në det e të nxirrte trupin e vogushes së pafat, vetëm një hollandez qe punonte tek ndihma e shpejte pati kurajon te mblidhte trupin e vogelushes….

Familja me origjinë nga Tropoja por që jetonte në Kanada, vetëm dje pasdite kish mbërritur ne Potam per te kaluar pushimet që u kthyen në tragjedi. Kush e ka fajin?

Nê vendin ku ndodhi ngjarja kishte kordon sigurie per mjetet e lundrimit, por te gjithe ne kemi nevoje te dime a jane me licencë këto kordone? Nese po, a jane ato konform ligjit? Qe do te thote te jene te taposura, te jete i lire kordoni dhe te mos vendosen cadra ne vendin qe i korespondon kordonit, te kete njerez qe ndihmojne dhe udhezojne mjetet qe dalin ne breg, por edhe qe nuk i lejojne pushuesit te lahen brenda tij..  Nese nuk i plotesojne keto kushte atehere, ata qe e kane per detyre ta monitorojne duhet te mbajne pergjegjesi.

Duke pare se sa shume kordone te tilla ka pergjate vijes bregdetare duhet te marre fund mania qe cdo lokal te kete dalje ne det… Do ta kem të vështirë të shkul nga mendja fytyrën e së ëmës se vogelushes, teksa nje kordon i gjate pushuesish shkoi te ngushellonte. E vetmja gje qe mund te benin ishte ti jepnim nje perqafim e ajo mu drejtua, kur pa femijet e mi: “Shijoni njeri -tjetrin.

Mos lejoni hallet t’ ju mbysin. Une e humba pergjithmone vogelushen time”. E mbytur ne lot dhe mes asaj dhimbje ajo grua kishte force te na thoshte nje fjale te mire, ndersa ne nuk ia mbrojtem dot vogelushen e saj. Edhe pas 4 oresh nga ngjarja ajo vazhdon e qendron ende ne skenen e krimit, nga frika se mos e manipulojne ngjarjen...”, ka shkruar ajo.

Ora 19:10
Dinamika e ngjarjes tragjike në Himarë, autori u kthye mbrapsht për të marrë familjen në breg të detit! 7-vjeçaren e prekën helikat

1659460311_786491fe44114570a39848d00377ad42.jpg

Burime për Report Tv kanë zbuluar dinamikën e ngjarjes tragjike në Himarë ku ndërroi jetë 7-vjeçarja. Autori ka ardhur që nga dita e djeshme dhe ishin duke bërë plazh me familjen në plazhin e Potamit.  Ai la familjen në shezlong ka marrë gomonen me qira dhe u rikthye sërish në breg të detit për t'i bërë xhiro familjes. Tase i ka dhënë mbrapsht gomones, helikat e së cilës prekën vogëlushen.  

Ora 18:20
Nga shef i komisariatit të Himarës në kreun e policimit të Elbasanit, si u shua karriera e Arjan Tases në polici, goditi për vdekje të miturën me gomone

Për të tretën herë në vetëm në  një muaj, opinioni publik tronditet nga ngjarjet e rënda si pasojë e mjeteve lundruese në plazhe, manovrat e të cilave sjellin viktimën e parë. Pak javë më parë, një çift pushuesish u godit në Jalë, ndërsa njëri prej tyre luftoi për jetën për ditë të tëra tek Spitali i Traumës. Rasti i dytë ishte në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar goditi një fëmijë 7 vjeç, por pa pasoja të rënda. Ngjarja më e rëndë u regjistrua këtë të martë në Himarë. Arjan Tase është polici që goditi me gomone për vdekje 7-vjeçaren Joanda Avdia, e cila po lahej në det.

Por, kush është Komisari që tashmë është arrestuar për ngjarjen e rëndë?

Arjan Tase aktualisht ishte me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Kominitet në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit, ndërsa më herët mbante detyrën e shefit të komisariatit të Himarës. Me urdhër të kryepolicit Gledis Nano, Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, menjëherë pas arrestimit në Himarë. Emri i tij është lakuar edhe më herët në media, në periudhën kur mbante postin e shefit të komisariatit të Himarës. Në vitin 2020 ai është arrestuar si pjesë e një operacioni të gjerë të trafikimit të narkotikëve, bashkë me kolegë të tjerë policë, kultivues kanabisi dhe trafikantë droge, në një total prej 41 personash. Në atë kohë, Tase u la në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe pezullim nga detyra. Më vonë, Komisari mundi të marrë pafajësi në Gjykatën e Apelit të Vlorës dhe u rikthye në detyrë në Policinë e Shtetit, për t’u përjashtuar pas ngjarjes së rëndë në plazh.

Ora 16:16
Qytetarët në panik bërtasin me të madhe...del VIDEO pak çaste pasi gomonia përplasi për vdekje 7-vjeçaren

Report Tv sjell VIDEO-n pak çaste pak pas aksidentit në plazhin Potam të Vlorës, ku gomonia përplasi për vdekjen 7-vjeçare. Në video dëgjohen sesi qytetarët bërtasin në panik pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, në videon e siguruar nga Report Tv shihet edhe drejtuesi i gomones Arjan Tase, i cili është i veshur me tuta të kuqe.

Ora 16:07
Gledis Nano reagon për ngjarjen e rëndë në Himarë, përjashton nga Policia e Shtetit drejtuesin e gomones Arjan Tase

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme në Himarë, ku një skaf që drejtohej nga një oficer policie la të vrarë një fëmijë 7 vjeç.

Gledis Nano vendosi që të përjashtojë nga radhët e policisë drejtuesin e skafit Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.

Tase u arrestua me urdhër të drejtorit të Prokurorisë në Vlorë, Aurel Zarka.

Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.

Gjithashtu, Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.

Njëkohësisht, Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Ora 15:45
Gomonia godet për vdekjen fëmijën, Prokuroria urdhëron bllokimin e mjeteve lundruese në Potam: S’është plazh i miratuar për lundrim

1659445353_1659444764POTAM10.jpg

Report TV ka mësuar se Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestron e gomones që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase. Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta, se është urdhëruar edhe bllokimi i mjeteve lundruese në Plazhin e Potamit, deri në verifikimin e tyre dhe lejeve të dhënave, për shkak se ky plazh është jashtë listës së hapësirave ku lejohet për lundrim.

Ora 15:20
Përplasi për vdekje fëmijën, del FOTO, ky është ish-shef i komisariatit të Himarës, i arrestuar më herët për drogë

1659446333_Sequence03.00240604.Still033.jpg

Ky është Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan që ka goditur për vdekje me gomone fëmijën sot në plazhin e Potamit.

Ora 15:17
Goditi me gomone për vdekje fëmijën, AMP: Kemi nisur hetimet për shefin e Policimit që po drejtonte mjetin lundrues

1659444212_potamaksidenti.jpeg

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë me dije se ka nisur hetimet pasi gomonia ka përplasur një fëmijë, duke i marrë jetën. Drejtuesi i gomones ka qenë Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, është shoqëruar në Polici.

“Pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi A. T., me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 5 vjeç ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Aktualisht, shtetasi A. T. ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë”, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ora 14:56
Përplasi për vdekje fëmijën për vdekje në Himarë, drejtuesi i gomones është shef Policimi në Komunitet në Elbasan

Report Tv ka mësuar se drejtuesi i skafit  Arjan Tase që përplasi për vdekje fëmijën është shefi i Policimit në Komunitet në Elbasan. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës,  por u arrestua pas një operacioni antidrogë, Megjithatë, u rikthye sërish në Polici. 

Ai po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin "Nëna 154" i cili ka qenë edhe me dy shtetas të tjerë në bord. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka patur korridor të miratuar për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese.

1659445353_1659444764POTAM10.jpg

Gomonia i cili goditi për vdekje 5-vjeçarin
Ora 14:45
5-vjeçari u godit për vdekje nga gomonia/ Pushuesit me duart në kokë, dalin FOTO nga vendi i ngjarjes

Report Tv sjell pamje nga vendi i ngjarjes, ku gomonia goditi për vdekje 5-vjeçarin. Siç shihet në foto, pushuesit janë tmerruar nga pamjet, teksa vënë duart mbi kokë.