Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili sëbashku me Rrjetin Ballkanin për Gazetari Investigative (BIRN Albania), kishin paraqitur kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për masat e marra nga Qeveria për bllokimin e platformës Tik Tok, ka përshëndetur vendimin e sotëm të Kushtetueses, që e cilësoi anti-kushtetuese mbylljen e Tik Tok.

Përmes një njoftimi, AGSH shkruan se Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e tyre, duke theksuar se ky vendim ishte një zhvillim i rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Sipas AGSH, në një shoqëri demokratike, çdo kufizim i komunikimit publik duhet të jetë i bazuar qartë në ligj, proporcional dhe i justifikuar nga një interes publik i domosdoshëm.

Njoftimi i AGSH:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë mirëpret vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e paraqitur nga AGSH dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN Albania), lidhur me masat e marra nga Këshilli i Ministrave për bllokimin e platformës online TikTok.

Në njoftimin e saj për vendimmarrjen, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.151, datë 06.03.2025, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës online TikTok”, ka sjellë cenim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit.

Gjykata vlerëson se ndërprerja e aksesit në një platformë komunikimi publik si TikTok përbën kufizim të këtyre lirive themelore dhe se ndërhyrja nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit të parashikuar nga Kushtetuta.

Ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pluralizmit të informacionit dhe standardeve demokratike në Shqipëri. Në një shoqëri demokratike, çdo kufizim i komunikimit publik duhet të jetë i bazuar qartë në ligj, proporcional dhe i justifikuar nga një interes publik i domosdoshëm.

AGSH rithekson se qëllimi i kësaj nisme nuk ishte mbrojtja e një platforme të caktuar, por mbrojtja e parimit kushtetues të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim, të cilat përbëjnë shtyllë themelore të demokracisë dhe të punës së gazetarëve.

Ne e përshëndesim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe i vlerësojmë për ruajtjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.


Lajmi kryesor:

Mbyllja e TikTok në mars 2025, Kushtetuesja: Cenoi lirinë e shprehjes! Edhe pse për interes publik, u bë pa ligj dhe nuk ishte proporcional! Reagon Rama